Gynter Gras, fitues i Çmimit Nobel në letërsi (30 Shtator 1999)
Gynter Gras është shpallur fitues i Çmimit Nobel në letërsi për këtë vit. Me këtë çmim sot ka filluar sezoni i shpalljes së fituesve që mbajnë emrin e njeriut që shpiku dinamitin Alfred Nobel në edicionin e 96-të të tij. Ndjej kënaqësi dhe krenari, është shprehur shkrimtari gjerman pasi ka mësuar lajmin i ndodhur në shtëpinë e tij.
Gynter Gras 71 vjeçar është i njohur nëpërmjet veprave “Daullja Metalike” e botuar në vitin 1959 , “Vitet e Qenit” dhe “Rropatja”. Ai lindi më 16 Tetor 1927 dhe është i njohur dhe për veprimtarinë e tij politike. Gras është gjermani i parë që fiton çmimin Nobel për letërsinë që nga viti 1972.
Ky çmim shoqërohet nga rreth 1 milion dollarë dhe jepet në një ceremoni në Dhjetor ku merr pjesë Mbreti i Suedisë, Karl Gustav dhe Mbretëresha. Mes kandidatëve për fitimin e çmimit të vitit ’99 ka qënë dhe shkrimtari ynë Ismail Kadare, britaniku Ryzhdi , kurdi Jashar Qemal, çeku Kundera e të tjerë.
Më shumë çmime Nobel për letërsinë ndër vite kanë marrë francezët 12 herë, amerikanët 12 herë, britanikët 8, gjermanët 7. Italia dhe Suedia me nga 6 herë secila./tvklan.al