6 pika testimi të shpejtë në Tiranë
Manastirliu: Mjeku i familjes rezervon testimin e shpejtë
6 qendra shëndetësore në Tiranë kanë nisur nga kjo e hënë testimin e shpejtë për të gjitha rastet e dyshuara. Do të jetë mjeku i familjes ai që përcakton se kush duhet të bëjë këtë test, duke rezervuar dhe një orar për pacientin e tij. Ky proces do të shtrihet në gjithë Shqipërinë.
“Sipas një sistemi të mirëorganizuar me mjekun e familjes, me regjistrin elektronik të fashave orare, ku qytetarët të cilët janë pjesë e indikacioneve, pra për 5 ditët e para të sëmundjes dhe ku mjeku i familjes vlerëson se duhet kryer testimin e shpejtë, vijnë në këto qendra shëndetësore”.
Pavarësisht përfshirjes së testit të shpejtë, testimi me metodën klasike të PCR do të vijojë.
“Nga ana tjetër testimi nëpërmjet metodës klasike të PCR vazhdon. Grupet e epidemiologëve janë në terren për vijimin e testimit përsa i përket testeve të cilat kryhen direkt nga numri 127, pra rastet e hetimit epidemiologjik dhe gjurmimit në terren”
Në prag të festave të fundvitit, Manastirliu u ka bërë apel qytetarëve të shmangin grumbullimet dhe të festojë brenda familjes tyre të vogël, për të kufizuar përhapjen e infeksionit.
Tv Klan