Hapet konsullata italiane në Shkodër – (17 Shkurt 2001)


Hapet konsullata italiane në Shkodër – (17 Shkurt 2001)

14:08 17/02/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Shkodranët dhe banorët e zonave veriore, nuk do të vijnë më në Tiranë, për të marrë një vizë italiane. Sot është çelur në Shkodër konsullata italiane, në përurimin e së cilës, ka marrë pjesë Ministri i Jashtëm Italian Lamberto Dini dhe kryeministri Meta.

Kemi shkurtuar kohën për të dhënë viza, tha Ministri i Jashtëm Italian. Kemi ofruar një asistencë më efikase për biznesin italian, që dëshirojmë të fillojë aktivitetin në Shqipëri dhe jemi preokupuar të ndihmojmë ata qytetarë shqiptarë, që dëshirojnë të punojnë në Itali. Ndërsa kryeministri Meta tha:

Kryeministri Ilir Meta:- “Kjo ka qenë në radhë të parë, një kërkesë e vazhdueshme, gjatë gjithë kësaj dekade e popullit të Shkodrës. Ky ka qenë edhe një objektiv i përbashkët i dy qeverive tona. Mendoj se tashmë ka ardhur koha që ky qytet të ripërtërijë traditën e vetë dhe gjithë kufijtë e izolimit tashmë janë rrëzuar”.

Më pas brenda në ambientet e konsullatës, Ministri i Jashtëm Italian Dini, së bashku me homologun shqiptar Paskal Milo, nënshkruan protokollin e bashkëpunimit në fushën e shkencës dhe teknologjisë. Në përfundim Ministri i Jashtëm Italian dhe Kryeministri Meta, kanë dhënë një konferencë për shtyp./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego






Të ngjashme