Hapet në Shqipëri Instituti i Studimeve Ballkanike (28 Qershor 1999)
Në Qendrën Kombëtare të Kulturës është prezantuar sot hapja e Institutit të Studimeve Ballkanike. Në Shqipëri ka pasur institute studimesh vetëm në nivel albanologjik, tha Profesor Shaban Demiraj në fjalën e tij, ndërsa me këtë institucion të ri i jepet shtysë studimeve kryesisht krahasuese në fusha të ndryshme. Është një ëndërr e vjetër tha Profesoresha Andromaqi Gjergji që e kanë patur të gjithë studjuesit shqiptarë.
Valentina Duka: Instituti i Studimeve Ballkanike është i pari i këtij lloji në të gjithë hapësirën shqiptare, jo vetëm në Shqipërinë politike por kudo që ndodhen shqiptarët, dhe ka për qëllim të çojë më tej studimet në këtë fushë. Dhe sidomos synimi kryesor është që studimet albanologjike, studimet e historisë, të kulturës të popullit shqiptar të shihen në kontekstin ballkanik dhe më gjerë.
Përshëndetën ceremoninë e hapjes pedagogë dhe studjues të ndryshëm, ambasadorë të disa shteteve akredituar në Shqipëri, si dhe Ministri i Jashtëm Paskal Milo në rolin e një ish pegagogu në historinë e Ballkanit. Por cilët janë projektet e këtij instituti :
Valentina Duka: Projektet afatshkurtëra dhe afatgjata sigurisht që varen me sigurinë e fondeve. Por mbështetur në projektet tona afatshkurtër janë organizimi i disa simpoziumeve me tematikë ballkanike dhe urgjentisht botimi i një buletini për studimet ballkanike./tvklan.al