Harta e refugjatëve në Shqipëri – (24 Prill 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Kjo është harta e fundit e shpërndarjes së të shpërngulurve nga Kosova në territorin shqiptarë. Sipas shifrave të konfirmuara nga UNHCR-ja dhe misioni Italian Ylberi numri i refugjatëve të hyrë në Shqipëri deri tani është rreth 345 mijë persona. Prej tyre vetëm 65 mijë persona janë të akomoduar nëpër kampe zyrtare, pjesa tjetër gjendet në familjet shqiptare, kampe, tenda të improvizuara apo nën qiell të hapur.
Qyteti më i populluar mbetet Kukësi edhe pse vazhdon evakuimi në masë i refugjatëve. Zëdhënësja e UNHCR-së shpjegon se evakuimi nga Kukësi bëhet për shkak të mungesës së hapësirave në këtë qytet të vogël dhe për arsye sigurie. Pas Kukësit renditet Tirana me rreth 78 mijë të ardhur, Durrësi me rreth 45 mijë, Fieri 20 mijë, Lezha dhe Elbasani me rreth 14 mijë të shpërngulur nga Kosova, ndërkohë që ndiqet nga Korça, Dibra, Vlora, Berati dhe qytete të tjera të Shqipërisë.
Ndërkohë që sot në Vlorë ka filluar ringritja e një kampi të ri nga misioni italian Ylberi që do ketë një kapacitet prej 5 mijë personash./tvklan.al
Gazetare – Eni Vasili