Hashim Thaçi betohet si President i Kosovës
Në një seancë të jashtëzakonshme, në Kuvendin e Kosovës u zhvillua ceremonia solemne e betimit të Hashim Thaçit si President i ri i Republikës.
Thaçi u betua se do të angazhohet me tërë fuqinë e tij në detyrën e re.
Në fjalën e tij të parë, Hashim Thaçi tha se do të jetë President i të gjithë qytetarëve duke lëshuar një sinjal edhe për opozitën.
Opozita nuk mori pjesë në seancën e betimit të Thaçit, pasi nuk e njeh si President.
Thaçi nënvizoi marrëdhëniet e mira fqinjësore me vendet e rajonit dhe theksoi vijimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në seancën e jashtëzakonshme morën pjesë, Presidentja në detyrë, Atifete Jahjaga dhe krerë të qeverisë.
Seanca solemne për betimin e Presidentit të ri nuk ka kaluar pa probleme.
Kuvendi i Kosovës u sulmua me gurë nga disa protestues. Policia e Kosovës arrestoi dy persona nga pesë të dyshuar se kanë gjuajtur me gurë në xhama të Kuvendit.
Të premten, në sheshin “Skënderbeu” do të mbahet ceremonia e dorëzimit të detyrës së Presidentit, në praninë e shumë personaliteteve të ftuara nga rajoni dhe më gjerë.
Tv Klan