Thaçi jep dorëheqjen dhe dërgohet në Hagë
Dhomat e Specializuara publikojnë akt-akuzën për krime lufte
Pas dorëheqjes nga posti i Presidentit, Hashim Thaçi u nis menjëherë drejt Hagës, ku do të gjykohet për krime lufte.
Në konferencën e fundit si President, ai tha se nuk do të lejonte të dilte si President i Kosovës në bankën e të akuzuarve para Gjykatës Ndërkombëtare.
“Ashtu siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dal si President i Republikës së Kosovës, prandaj për të mbrojtur integritetin e shtetit të Kosovës, unë sot jap dorëheqje nga pozita e presidentit”.
Ka kërkuar që të mos ketë krizë institucionale.
“Të qëndrojmë të bashkuar të mos lejojmë të thellohemi me krizë kushtetuese apo institucionale. Të vemë interesat e shtetit mbi ato personale dhe partiake”.
Ka bërë thirrje për unitet e maturi.
“Drejtësia nuk bëhet në rrugë, por në ballafaqim të argumenteve. Kjo nuk është lamtumirë, por vetëm mirupafshim”.
Në akt-akuzën e publikuar nga Gjykata Speciale, Hashim Thaçi, kreu i PDK-së Kadri Veseli, shefi i grupit parlamentar të LVV-së Rexhep Selimi dhe ish-kreu i Kuvendit Jakup Krasniqi, akuzohen për krime lufte të arrestimit, torturës, vrasjes dhe krime kundër njerëzimit mes Marsit 1998 dhe Shtatorit 1999.
Krimet që paraqiten në akt-akuzë dyshohet të jenë kryer në disa vende të Kosovës dhe në Kukës e Cahan të Shqipërisë. Ndër viktimat e këtyre krimeve, Gjykata Speciale përfshin persona që ishin kundërshtarë të UÇK-së, serbë, romë, katolikë, civilë që pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe dhe shqiptarë që ishin anëtarë ose kundërshtarë të partive të tjera kundër UÇK-së.
Tv Klan