Hashim Thaçi vizitë në Paris (3 Shtator 1999)
Lideri politik i UÇK-së, Hashim Thaçi erdhi për një vizitë 24 orëshe në Paris. Ai u prit nga Drejtori Politik i Ministrisë së Jashtme të Francës dhe kjo Ministri deklaroi se kjo vizitë bëhet në kuadrin e vazhdimit të dialogut që Franca mban me udhëheqësit e ndryshëm kosovarë.
Thaçi është deklaruar i gatshëm ta shndërrojë organizatën që ai udhëheq nga një forcë ushtarake në një parti politike. Sot Thaçi është pritur nga Ministri i Francez i Mbrojtjes, takimi i zhvilluar pa praninë e gazetarëve. Thaçi u zotua se UÇK-ja do t’i respektojë të gjitha angazhimet e marra e sidomos atë për çarmatimin.
Opinionet e vëzhguesve këtu janë që kjo vizitë i shërben Thaçit për të përforcuar atë dimensionin e liderit politik. Tani ai është larguar dhe me sa di unë ka mbërritur në Romë ku do takohet me Lamberto Dinin. Të hënën do të shkojë në Berlin dhe të martën në Bruksel ku do takohet në Selinë e NATO-s me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës, Havier Solana./tvklan.al
Gazetar: Marin Haxhimihali