Helmimi i agjentit rus, Britania angazhon ushtrinë
Rasti i helmimit me lëndë të rrezikshme të ish-agjentit rus Sergei Skripal ka detyruar autoritetet britanike të angazhojnë ushtrinë në hetime. BBC bën të ditur se 180 ekspertë ushtarakë mbërritën në Salisbury, qytetin ku ish-agjenti i dyfishtë u helmua mbrëmjen e të dielës sëbashku me të bijën.
Dyshohet se për helmimin e tyre është përdorur një lëndë misterioze tepër e rrallë dhe e rrezikshme që paralizon sistemin nervor. Dyshohet se lënda mund të jetë përhapur nga autorët edhe në pjesë të tjera të qytetit. Ndaj dhe policia britanike ka kërkuar ndihmën e një ekipi ekspertësh ushtarakë të specializuar në luftën kimike dhe dekontaminimin.
Ata do të ushtrojnë kontrolle në automjetet e policisë, ambulanca por edhe në zonat e frekuentuara nga të helmuarit. Gjithsesi autoritetet britanike thanë se banorët e zonës nuk duhet të alarmohen. 66-vjeçari Sergei Skripal dhe vajza e tij Julia 33-vjeç ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin rajonal të Salisbury. Dyshime ka se prapa helmimit të tyre fshihen shërbimet ruse të zbulimit, pasi Skripal ka qenë i dënuar për spiunazh në dëm të Rusisë.
Tv Klan