Pezullohet shefi i Kufirit në Kapshticë
Edmond Çela, shefi i hetimit të Kufirit në Korçë u pezullua nga detyra pas bllokimit një ditë më parë të 2 kilogramëve heroinë, në një autobus të linjës Korçë-Selanik.
Linja ishte në pronësi të vjehrrit të Çelës dhe dyshimet janë se ai mund të ketë favorizuar kalimin e lëndës narkotike drejt Greqisë. Dyshimet u shtuan pasi nga kontrolli i Policisë Kufitare në Kapshticë, nuk u gjet asgjë.
Bashkë me Çelën, u pezulluan edhe pesë punonjës të tjerë, që dyshohet se nuk kanë ndjekur procedurat standarde të kontrollit në kufi për autobusin.
Ishin autoritetet greke që zbuloi heroinën pas dy orë kërkimesh. Ajo ishte ambalazhuar në disa pako dhe ishte fshehur në tualetin e autobusit që udhëtonte drejt Selanikut. Shoferi i tij u arrestua në flagrancë.
Për rastin nisi një hetim edhe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri, ndërsa Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme, nisi verifikimet pasi u mësua se autobusi kishte lidhje me shefin e Kufirit të Korçës.
Njoftimi i Policisë:
Siç është informuar më parë me datën 19.01.2017, në doganën e kufirit të shtetit grek në Kapshticë është kapur një sasi prej 2 kg e dyshuar si lëndë narkotike e llojit Heroinë.
Për sqarimin e rrethanave të këtij rasti Drejtori i Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë ka pezulluar përkohësisht nga detyra 6 punonjës policie, ndërmjet tyre edhe E.Ç, Shef i Hetimit të Krimit në DVKM, Korçë.
Pezullimi nga detyra i punonjësve:
– E.Ç, me detyrë shef i hetimit të Krimit në DVKM, Korçë.
– S.P, me detyrë përgjegjës turni në PKK- Kapshticë,
– B.S ; D.N ; M.M; të tre trup shërbimi në PKK Kapshticë
– K.A, trup shërbimi në Sektorin e Hetimit në DVKM-Korçë.
Kjo procedurë u bë në bashkëpunim me SHÇBA dhe Drejtorinë e Standarteve Profesionale, për të parë nëse ka ose jo implikim të punonjësve të policisë në lidhje me këtë rast të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Tv Klan