Heshtje për disa muaj… merr fund aktiviteti i doganierëve e sekserëve


Heshtje për disa muaj… merr fund aktiviteti i doganierëve e sekserëve

11:25 06/11/2018

Autoritetet policore në Durrës kanë ekzekutuar këtë të martë 5 masa sigurie ndërsa kanë ndaluar 3 persona, pas një hetimi disa mujor që çoi në zbulimin e një skeme mashtrimi me automjetet.

Bëhet fjalë për agjentë doganorë, sekserë, si dhe një shoqëri tregtare, që në bashkëpunim me njëri-tjetrin sillnin mjete nga jashtë shtetit në vendin tonë dhe duke falsifikuar dokumentet ulnin vitin e prodhimit dhe i zhdoganonin. “

Në këtë mënyrë, vlera e zhdoganimit të mjeteve ishte më e ulët në vlera monetare se vlera normale bazuar, në vitin e saktë të prodhimit të tyre”,

sqaron policia në një njoftim për mediat.

Të ndaluarit janë Erdi Çena 29 vjeç, Qani Kacmoli, 32 vjeç dhe Glodjan Sulaj  35 vjeç, të cilët kishin rolin e sekserit.

Ndërkohë, autoritetet ekzekutuan vendimet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, që vendosi masën e sigurisë arrest shtëpie për agjentin doganor Kostandin Riston, 59 vjeç, dhe detyrim paraqitje për Mirjan Driza 44 vjeç, gjithashtu agjent doganor.

Ndërsa për tre doganierët Neritan Bablusha 49 vjeç, Endrit Pllumbi, 39 vjeç, dhe Sokol Mehmeti, 51 vjeç, u vendos masa e sigurisë  “Pezullimi i ushtrimit të një detyrë a shërbimi publik”.

Pjesë e kësaj skeme ishte edhe një shoqërie tregtare, e cila funksiononte si agjenci doganore dhe për të cilën gjykata vendosi masën e sigurisë me karakter ndalues,

“Ndalimi i përkohshëm i ushtrimit të veprimtarive të caktuara profesionale ose afariste”.

Autoritetet kanë shpallur në kërkim edhe një person me iniciale Xh.S.

/tvklan.al






Të ngjashme