Hetim mbi vrasjen e Gani Nezës – (25 Maj 1999)


Hetim mbi vrasjen e Gani Nezës – (25 Maj 1999)

09:12 25/05/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Hakmarrja është pista e vetme ku po hetohet mbi vrasjene e Gani Nezës, ndodhur në qendër të Tiranës 24 orë më parë. Drejtuesit e Policisë së Tiranës pohuan sot se janë mbledhur fakte dhe dëshmi të reja që do ndihmojnë në zbardhjen e vrasjes së djeshme. Gani Neza u vra dje sapo kishte dalë nga shtëpia e tij ndërsa po ecte me makinë në rrugën Zhan D’Ark përballë ish-Ekspozitës Shqiperia Sot.

Një karikator automatiku e ka masakruar atë si dhe plagosur një kalimtar të rastit. Një ditë pas këtij krimi që tronditi rendin në kryeqytet, specialistet e policisë kriminale thonë se hakmarrja është shkaku i vrasjes së 35-vjeçarit Neza. Gjithashtu hetuesit e kriminales të Drejtorisë së Tiranës përmendin disa ngjarje që kanë ndodhur njëra pas tjetrës.

Para një muaji u vra në Tropojë vëllai i Ganiut, Skënder Neza. Vetëm pak ditë pas vrasjes së tij një eksploziv me telekomandë plagos ish-shefin e Komisariatit të Tropojës Fatmir Haklaj dhe vdes nipi i tij efektiv i Policisë së Tropojës. Vetëm pak ditë më pas vritet një pjestar tjetër i familjes Neza, Ganiu ish-efektivi Gardës.

Specialistët e policisë kriminale thonë që gjithçka është në hetim e sipër dhe se akoma nuk ka asgjë të sigurt. Gjithë këto ngjarje po hetohen deri në imtësi. Drejtuesit e Policisë thonë se autorët e vrasjes së djeshme mbeten akoma anonime. Ndërkohë hetimet mbi identifikimin dhe kapjen e tyre është shndërruar në objektivin kryesor të policisë së kryeqytetit./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj






Të ngjashme