Hetimet pas tërmetit, kërkesa e Prokurorisë për Bashkinë e Tiranës


Hetimet pas tërmetit, kërkesa e Prokurorisë për Bashkinë e Tiranës

12:31 03/12/2019

Tre prokurori njoftuan të hënën se kishin nisur hetimet për pasoja e tërmetit tragjik të 26 Nëntorit, ku humbën jetën 51 persona, u shembën dhjetëra godina dhe qindra të tjera u dëmtuan. Prokuroria e Durrësit, ajo e Krujës dhe e Tiranës, po hetojnë për veprat penale; Shpërdorim detyre, ndërtim i paligjshëm dhe dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm.

Prokuroria e Tiranës në njoftimin e saj tha se hetimi ka si objekt sqarimin e rrethanave konkrete, që kanë çuar në pasojat e ardhura dhe gjendjen e ndërtimeve.

Akuza e kryeqytetit iu drejtua gjithashtu me një shkresë Bashkisë së Tiranës, ku kërkohet lista e plotë e banesave të prekura nga tërmeti. Prokuroria kërkon nga Bashkia që të njoftohet për çdo situatë në të cilën është konstatuar dëmtim dhe është vendosur prishja e një objekti dhe nga ana e saj vë në dispozicion grupin hetimor, me qëllim kryerjen e hetimeve. Prokuroria i kërkon Bashkisë së Tiranës gjithashtu dokumentacionin e plotë tekniko-ligjor, të ndërtesave apo banesave në të cilat janë konstatuar dëmtime nga tërmeti.

“Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë është regjistruar procedimi penal me Nr 8991, viti 2019, për veprat penale të parashikuara 199/a, 199/b dhe 489 të Kodit Penal. Për nevoja të kryerjen se veprimeve hetimore në funksion me procedimin penal kërkojmë nga ana juaj të informohemi duke na vënë në dispozicion:

-Listën e plotë të ndërtimeve (banesave) të evidentuara nga ana juaj si të prekura nga tërmeti dhe për të cilat janë konstatuar dëmtime.

-Për çdo lloj situate në të cilën është konstatuar dëmtim dhe është vendosur prishja e ndërtimit të njoftohet paraprakisht Prokuroria, e cila vë në dispozicion grupin hetimor me qëllim kryerjen e hetimeve.

-Dokumentacionin e plotë tekniko-ligjor, të ndërtesave apo banesave në të cilat janë konstatuar dëmtime nga tërmeti,. Ky informacion të na vihet në dispozicion brenda datës 05.12.2019″, thuhet në shkesën zyrtare drejtuar Bashkisë së Tiranës, që mban firmën e Prokurores Elizabeta Imeraj./tvklan.al






Të ngjashme