Hetimet për helmimin në mitingun e PD-së, prokuroria kërkon ndihmën e autoriteteve gjermane
Në Shqipëri nuk ka asnjë laborator i cili të mund të përcaktojë brenda një kohe të shkurtër shkakun e helmimit të 140 pjesëmarrësve në mitingun hapës të fushatës së Partisë Demokratike. Për këtë arsye Prokuroria e Tiranës ka kërkuar ndihmën e autoriteteve gjermane.
Burime nga akuza e kryeqytetit thonë se analizat e personave të helmuar, si dhe të dhëna të tjera të përfituara nga këqyrja e bulevardit do të dërgohen në një laborator në Gjermani. Laboratori i Mjekësisë Ligjore nuk ka mundësi dhe kapacitet për të kryer veprimet të cilat do të përcaktojnë saktë shkakun e helmimit të pjesëmarrësve në miting, brenda një kohe të shkurtër.
Janë rreth 32 mijë helme ose substanca kimike, të cilat duhet të kalojnë në sitën e ekspertëve. Laboratori jonë duhet që t’i marrë këto lloj substancash një e nga një, në mënyrë që të përcaktohet shkaktari. Ndërsa në Gjermani me anë të një aparature të veçantë, kjo procedurë kryhet në kohë rekord.
Prokuroria është duke hetuar këtë rast për pengimin e subjekteve zgjedhore për të zhvilluar normalisht aktivitetin e tyre. Paraprakisht u dyshua se helmimi mund të ketë ardhur nga prozhektorët e ndriçimit, por nuk përjashtohet që të ketë qenë një akt i qëllimshëm.
Tv Klan