Hetimet për vdekjen e 15 – vjeçares ruse, nuk punon pajisja për ekspertimin e gjurmëve të gjetura
Prokuroria po heton në dy pista për vdekjen e 15 – vjeçares ruse, Ksenia Roik, e cila humbi jetën mesditën e së premtes në plazhin e Ksamilit. Ajo që konfirmon grupi hetimor është se turistja, e cila ishte duke notuar në det, ka humbur jetën si pasojë e goditjeve të forta me mjete prerëse në kokë dhe trup.
Trupi i 15 – vjeçares ndodhet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, nga ku pritet të dalë shkaku i vdekjes së adoleshentes ruse, e cila po pushonte me familjen e saj në bregdetin shqiptar.
Hetuesit janë fokusuar më së shumti tek pista e goditjes nga ndonjë mjet lundrues, skaf ose motor uji, që ka lëvizur i pakontrolluar në det, por nuk përjashton edhe atë të përplasjes me ndonjë shkëmb, një version më pak i besueshëm që hidhet poshtë edhe nga dëshmitë e pushuesve.
Policia shoqëroi disa persona, të cilët kanë në zotërim mjete të tilla.
Grupi hetimor në disa prej tyre ka gjetur disa gjurmë, kryesisht flokë, të cilat duhen ekspertuar. Vetëm pas krahasimit me flokët e viktimës mund të thuhet se ato i përkasin 15 – vjeçares dhe të hidhet më shumë dritë mbi të vërtetën.
Por ajo çka e vështirëson hetimin e Prokurorisë është prishja e pajisjes së ekspertimit në laboratorin e policisë. Burimet sqarojnë se ajo mund të rikthehet në gjendje pune, pas 3 ose 4 javësh. Për këtë fakt, deri në rregullimin e saj, hetimi mbetet pezull ose prokurorët do të kërkojnë një rrugë alternative për ta kryer këtë ekspertim.
Tv Klan