Hetimet për vrasjen e deputetes Jo Cox


Hetimet për vrasjen e deputetes Jo Cox

14:13 17/06/2016

Policia britanike nuk nxiton të japë detaje rreth motivit të vrasjes se deputetes laburiste Jo Cox, por konfirmon arrestimin e 52-vjeçarit, Tommy Mair, i dyshuari kryesor për vrasjen e deputetes.

Për të dihet shumë pak. Ai konsiderohet si një njeri i vetmuar dhe i dyshuar se ka lidhje me grupe raciste.

Mediat e huaja raportojnë se deputetja laburiste në muajt e fundit kishte marrë disa mesazhe kërcënuese.

Pista kryesore e vrasjes së 41-vjeçares mbetet ajo për shkak të angazhimit të saj politik. Cox ishte një nga zërat kryesorë të laburistëve kundër daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian dhe mbronte të drejtat e emigrantëve.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, përpara se të qëllonte deputeten agresori kishte thirrur “Britania është e para”.

Mbrëmjen e së enjtes dhjetëra njerëz i bënë homazhe deputetes së vrarë përpara sheshit të parlamentit britanik në Londër.

Fushatat pro dhe kundër daljes së Britanisë nga BE u ndërprenë të enjten. Kryeministri David Cameron e cilësoi vrasjen si një tragjedi.

Jo Cox u qëllua me armë zjarri dhe u godit me thikë pranë qytetit të Lidsit. Ajo humbi jetën në spital.

Tv Klan






Të ngjashme