Hetimet për vrasjen e Kozeta Hysenit (25 Shkurt 1999)
Drejt zbulimit misteri i vrasjes së studentes Hyseni. Sot Prokurori që po ndjek çeshtjen e vrasjes së studentes Kozeta Hyseni, Ariston Kuka, është shprehur se brenda pak ditësh vrasësi i Kozeta Hysenit do të kapet. Ai është takuar me Nëndrejtorin e Policisë së Tiranës Neritan Nallbati, të cilin e ka informuar mbi hetimet e fundit.
Janë pyetur mbi 20 persona midis të cilëve shumë studentë, të njohur dhe miq të Kozetës. Nga rrëfimet e tyre është konkluduar se vrasja e 20 vjeçares nga Vlora të jetë kryer nga një shok i saj. Edhe Kryepolici Havari pak ditë më parë deklaroi se nga mënyra e ekzekutimit vrasësi nuk është profesionist.
Burime brenda Prokurorisë dhe policisë pohojnë se shoqet e ngushta dhe miq të Kozetës kanë treguar deri në hollësi të gjithë të kaluarën e saj, lidhjet me persona të ndryshëm dhe problemet e saj të fundit. Sipas shoqeve të dhomës dhe të kursit të Kozetës, vetëm një ditë para se të vdiste, ajo ishte ndjerë tepër e frikësuar. Megjithatë ajo nuk është shprehur për problemin që e frikësonte./tvklan.al
Gazetar: Eduart Frangaj