Hetimi për korrupsion, OSHEE: Në dispozicion të SPAK të gjitha materialet
Pas arrestimit të dy zyrtarëve dhe lënies së dy të tjerëve në arrest shtëpie, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka dërguar në SPAK të gjitha materialet e kërkuara në kuadër të hetimit për shkelje të barazisë në tendera.
“Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike mbështet organet ligjzbatuese në kryerjen e detyrës së tyre për verifikimin e çdo dyshimi e pretendimi për abuzim apo shkelje ligjore nga çdo punonjës apo ish-punonjës i kompanisë. Referuar rastit të publikuar ditën e sotme në media, OSHEE sqaron se ka vënë në dispozicion të plotë të SPAK të gjitha materialet e kërkuara dhe ka ofruar bashkëpunim maksimal për të zbardhur plotësisht këtë rast hetimi”, njofton OSHEE në një deklaratë për mediat.
Objekt i hetimeve paraprake të këtij procedimi penal janë veprimet dhe mosveprimet e kryera lidhur me procedurën e prokurimit ‘Shërbim-Konsulencë’, për lidhjen e kontratës me objekt ‘Asistencë teknike për ndarjen e aktivitetit të shpërndarjes së energjisë elektrike nga furnizimi i energjisë elektrike së bashku me përmirësimin e cilësisë së shërbimit të klientit të OSHEE sh.a’, me fond limit 138.500.000 lekë.
SPAK ka vendosur sot arrest në burg për zyrtarët e OSHEE Albana Ferraj dhe Elis Bushati, ndërsa arrest shtëpie për Irma Dërgutin dhe Athinta Papa. /tvklan.al