Hidhet në erë një urë në Kukës – (1 Shtator 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Një urë këmbësore me kavo është hedhur në erë në Kukës, dje pasdite. Sot banorët e fshatrave Leshnicë dhe Kalicë, nuk kanë mundur të kalojnë në dy anët që ura lidhte. Ura që u hodh në erë, nuk lidh Kukësin me pjesën tjetër të veriut siç shkruan një pjesë e shtypit, por ajo ishte një pasarelë prej kavo çeliku dhe dërrase nga poshtë.
Grupi hetimor dhe forcat speciale që ndodhen në Kukës, pasi shkuan në vendngjarje konstatuan, se lënda eksplozive ishte vendosur në të dyja anët e urës duke e këputur plotësisht atë. Policia në fillim ndaloi rojen e urës Rifat Gudinin. Pas hetimeve të para policia arrestoi autorët e vënies së eksplozivit. Ai është 50-vjeçari Luan Doçi nga fshati Kodër Gështenjë. Më pas masa e ndalimit u mor dhe për vetë rojen e urës Gudinin, për mos denoncim të autorit.
Ngjarja e mbrëmshme shton rastet e sabotazheve ndaj objekteve publike në Kukës, ku vetëm dy javë më parë u hodh në erë ujësjellësi i rrethit./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj