Vetëvritet pacienti me Covid
65-vjeçari hidhet nga dritarja e katit të 4 të spitalit “Shefqet Ndroqi”
“Një 65-vjeçar i infektuar me koronavirus i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga dritarja e katit të katërt të spitalit “Shefqet Ndroqi”, aty ku po trajtohej prej disa ditësh”.
Ka qenë ora 20:00 e mbrëmjes së të mërkurës kur pacienti me inicialet H.M ka ndërmarrë aktin ekstrem për t’u vetëflijuar.
Ai ishte konfirmuar Covid pozitiv prej disa ditës dhe po merrte trajtim në banesën e tij në Klos. Gjendja e tij është rënduar e për pasojë është shtruar në spitalin Covid 2 paraditen e të martës.
Pacienti kishte probleme me frymëmarrjen, por nuk ishte i intubuar. Dyshohet se ka qenë gjendja e depresionit si pasojë e sëmundjes ajo që ka shtyrë të ndjerin t’i japë fund jetës.
Sipas të afërmve të viktimës, 65-vjeçari e kishte përjetuar me ankth të gjithë periudhën e pandemisë së koronavirusit në vendin tonë.
Në vendngjarje ka shkuar menjëherë ekspertiza që po punon për zbardhjen e shkaqeve të kësaj tragjedie në mjediset spitalore. Ky është rasti i dytë që një pacient i infektuar me koronavirus i jep fund jetës në këtë formë.
Më 13 Gusht një 29-vjeçar, i cili ishte infektuar me Covid dhe po trajtohej në Sanatorium, i dha fund jetës duke u hedhur nga kati i tretë të njëjtës godinë.
Tv Klan