Hillary Clinton, e para grua drejt Shtëpisë së Bardhë
Hillary Clinton është zyrtarisht kandidatja e demokratëve për presidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ish-Sekretarja Amerikane është femra parë në historinë e vendit, që merr nominimin presidencial dhe përfaqëson një nga dy partitë e mëdha.
Në një klimë të rigjetur uniteti, pas krisjeve të ditës së parë të Kongresit Kombëtar të Demokratëve, 68-vjeçarja përshëndeti përkrahësit në Filadelfia përmes një video-mesazhi. Klinton falenderoi të gjithë ata që e ndihmuan të arrinte nominimin.
Në skenën e Kongresit në Filadelfia u shfaq edhe ish-presidenti amerikan Bill Clinton, i cili theksoi se bashkëshortja e tij është e duhura për tu zgjedhur presidente. Në një fjalim tepër personal, ish-presidenti rrëfeu se si ishte njohur me Hillary-n, të cilën e cilësoi gjithashtu si “miken e tij më të mirë”.
Shpallja si kandidate erdhi në Kongresin Kombëtar të Demokratëve, i cili në fakt nisi si një e përpjetë për Clinton, pasi pjesëmarrës të shumtë fishkëllyen vazhdimisht emrin e saj dhe mbështetën rivalin Bernie Sanders.
Ishte vetë ky i fundit që uli tensionet përmes një fjalimi dhe mbështeti zyrtarisht kandidaturën e Clinton.
Më herët në skenë u ngjit edhe Zonja e Parë, Michelle Obama, e cila nuk la pa shigjetuar politikën përçarëse të Donald Trump.
Tv Klan