Hipoteza e mjekëve: Koronavirusi mund të mos largohet


Hipoteza e mjekëve: Koronavirusi mund të mos largohet

14:15 29/04/2020

Covid-19 mund të përsëritet çdo vit. Kështu thuhet në një artikull të bërë publik në Bloomberg, ku disa shkencëtarë janë shprehur se ky virus misterioz ka shumë gjasa që të jetë pranë njerëzve në çdo ditë të jetës, ashtu si viruiset e tjera të gripit.

Ekspertët kanë bërë një krahasim me një virus të ngjashëm me Covid-19 , atë SARS. Kur shpërtheu epidemia e SARS, njerëzit u karantinuan dhe virusi u largua gradualisht por shkencëtarët janë shprehur se sot në Kinë po dalin raste të reja të njerëzve që janë asiptomatikë edhe pse vendi u hap që në muajin Mars.

Sipas asaj që thuhet në artikull, ka shumë të ngjarë të jetë një epidemi që bashkëjeton me njerëzit për një kohë të gjatë, bëhet sezonale dhe është e qëndrueshme brenda trupave njerëzorë.

Po ashtu theksohet se virusi nuk ka gjasa të zhduket plotësisht, pavarësisht se qeveritë në të gjithë botën kanë marrë masa të ashpra për ta frenuar atë.

Shumë ekspertë edhe më herët janë shprehur se koronavirusi mund të ngadalësojë përhapjen e tij me rritjen e temperaturave por për këtë gjë ende nuk ka një provë. OBSH-ja i ka qëndruar fort idesë se deri në daljen e një vaksine njerëzit do të bëhen një me virusin.

Kujtojmë se kur pandemia në SHBA filloi të përhapej me ritme të frikshme, edhe Anthony Fauci, drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive të SHBA, deklaroi se Covid-19 mund të bëhet një sëmundje sezonale.

Aktualisht i gjithë globi numëron mbi 3 milionë e 147 mijë të prekur nga ku aktualisht kanë humbur jetën 218 mijë persona që nga fillimi i pandemisë.

Klan Plus






Të ngjashme