Hiqen masat në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë
Hiqet analiza dhe as karantina në banesë
Nga mesnata është hapur tërësisht kufiri Kosovë-Shqipëri. Qeveria e Kosovës dje mori vendim që nga dita e sotme qytetarëve të Shqipërisë të mos u kërkohet testi i COVID-19 dhe nuk kanë më nevojë të izolohen për 7 ditë në Kosovë.
Megjithatë të gjithë qytetarët që hyjnë në territorin e Kosovës do t’u nënshtrohen kontrolleve të detajuara në kufi.
Pikën kufitare në Vërmicë e ka vizituar ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj. Ai u kërkoi punonjësve në këtë pikë kufitare të respektojnë masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
“Iu kisha lutur që të përçoni mesazhin e respektimit të masave për mbrojtjen e shëndetit”.
“Kalimi i kufirit në mënyrë të lirë nuk nënkupton që ne do të rrezikojmë shëndetin e qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë. Nëse Instituti e sheh që nuk po respektohen këto masa do të ndërmarrim masa më rigoroze”.
Në Kosovë ditëve të fundit ka filluar sërish rritja e numrit të të prekurve me koronavirus.
Vetëm dje ishin 40 raste të reja duke e rritur numrin e përgjithshëm të të prekurve në 1234, ndërsa të vdekur deri më tani janë 31 persona.
Tv Klan