Hiqet mbikalimi i këmbësorëve pranë Shkëmbit të Kavajës
Heqja e mbikalimit për këmbësoret, në rrugën Plepa – Golem, pranë Shkëmbit të Kavajës, ka ngritur në protestë banorët. Të mbledhur pranë vendit ku më herët ndodhej ky mbikalim, ata tregojnë se tashmë ndihen të izoluar.
Për të shmangur kilometrat e bëra në këmbë deri në mbikalimin me të afërt, disa qytetarë zgjedhin të kalojnë mes trafikndarësve duke rrezikuar jetën e tyre dhe të atyre që udhëtojnë me makina.
Banorët thonë se heqja e mbikalimit ka çuar edhe në largimin e turistëve pasi ai shërbente për të lidhur me bregdetin rreth 300 familje të zonës se sipërme të Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit.
Mbikalimi i hekurit i vendosur që prej ndërtimit të autostradës Plepa-Golem, sipas banorëve u hoq nga një kompani private që po zgjeronte një karburant, me premtimin se do të vendoste një tjetër mbikalim mbrenda muajit Qershor.
Tv Klan