Hiqet renta minerare për të gjithë metalet
Lehtësohen edhe procedurat për sektorin minerar
Qeveria ka vendosur të lehtësojë procedurat por dhe ngarkesën fiskale për sektorin minerar në Shqipëri, si një ndër më të prekurit nga pandemia e Covid, për shkak të rënies së kërkesës nga jashtë.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën e fundit plenare përjashtimin nga taksa e rentës minerare të gjithë grupet e mineraleve metalorë: kromi, bakri, nikeli, zinku etj. për 3 vjet.
Njëkohësisht me këtë nisëm, Këshilli i Ministrave ka vendosur të ndryshojë edhe ligjin e këtij sektori, duke lehtësuar procedurat dhe kërkesat për derdhjen e garancive financiare nga shoqëritë që operojnë në këtë treg.
Aktualisht ligji kërkon që çdo vit kompanitë e këtij sektori të lenë garanci vlerën e investimit të ngrirë, ndërsa ligji i ri i detyron ato të lenë vetëm 10% të kësaj shume.
Qeveria do të shtyjë edhe afatin e vlefshmërisë së lejes së kërkim – zbulimit me 1 vit tjetër, ndërsa i jep të drejtë kompanive të transferojnë të drejtat e tyre edhe në kompani të tjera, pas 5 vjetësh shfrytëzimi të lejeve.
Eksportet e mineraleve, lëndëve djegëse dhe metaleve e materialeve të ndërtimit u tkurrën këtë vit me 140 milionë dollarë për periudhën janar-nëntor, krahasuar me një vit më parë.
Tv Klan