“Histori Shqiptare” në majën e malit të Korabit


“Histori Shqiptare” në majën e malit të Korabit

17:05 26/05/2018

“Histori Shqiptare” këtë herë udhëtoi drejt malit të Korabit. Pika më e lartë e Shqipërisë, një mrekulli e jashtëzakonshme, që ofron shumë për të eksploruar edhe për të shijuar.

Mes grupit të kësaj aventure, përveç alpinistëve kuksianë edhe stafit të “Histori Shqiptare” janë edhe disa turistë gjermanë, të cilët duken të mrekulluar nga ajo çfarë nëna natyrë i ka dhuruar vendit tonë.

Ka njerëz që duan të rrinë me orë në kafene, zakonisht këta janë njerëzit e qyteteve. Por ka nga ata që duan të ecin nëpër ato rrugë ku nuk ka makina, kafene apo restorante.

Ata duan të jenë në kontakt me natyrën, siç ka qenë para mijëra vitesh njeriu, të ecin pa ndeshur asnjë shenjë të civilizimit apo modernitetit.

Mrekullitë natyrore mund t’i hasësh vetëm larg urbanizimit. Duke guxuar të ecësh më këmbë në shtigje të pa shkelura. Eksploruesit dhe të apasionuarit bëjnë pikërisht këtë. Ata i dorëzohen natyrës.

Alma Çupi:

Këtë udhëtim mund ta quajmë fare mirë një udhëtim epik, pasi do të udhëtojmë, pasi do të kalojmë nëpër një shteg, i cili nuk është shumë i njohur, por që dy vitet e fundit, po kërkohet që të njihet jo vetëm nga të huajt, por edhe nga shqiptarët. Është një shteg që të çon drejt Shishtavecit. 

Kemi ecur për një orë e gjysmë, në një të përpjetë shumë të lodhshme, kemi mbërritur në një pikë ku shihet mjaft qartë Radomira, në fare pak kohë do të arrijmë në rrafshtat e Malit të Korabit.

Alma Çupi:

Kemi mbërritur në një pikë nga ku mund të shihet e gjithë fusha e Korabit, një fushë e bërë e famshme për të cilën janë thurur edhe këngë, pasi deri në këtë pikë përcilleshin të gjithë kurbetlinjtë që më pas kalonin në Maqedoni. E gjithë kjo fushë e cila duket e pamatë ka një gjatësi prej shtatë kilometrash.

Dikur kjo fushë është larë me lotët e grave, të cilat përcillnin burrat ose djemtë e tyre për në kurbet.

Kënga e kurbetit ka mbetur simboli i këtij vendi, ku sot gjen vetëm stane. Kjo fushë tashmë pret e përcjell turistë.

Kur gjendesh në malin më të lartë në Shqipëri, i cili qëndron madhështor, si një vepër arti e natyrës, nuk e beson atë qe sheh.

Banorët e vetëm të kësaj mbretërie janë barinjtë.

Maji dhe Qershori janë dy muajt kur mund të shohësh lule që shpërthejnë mbi dëborë.

Temperatura dhe imazhi që ndesh ndryshon çdo 30 minuta ecje.

Pas 11 orë ecjeje, grupi mbërrin në fshatin Çaje të Kukësit. Fshati ka marrë këtë emër pasi duket i pozicionuar mes ndarjes së dy maleve.

Mikpritja, bujaria është ajo çfarë i karakterizon banorët e zonës. Mysafirët përfitojnë nga rasti të shijojnë edhe disa nga gatimet tradicionale.

Siç thonë edhe banorët, ai shteg është një bukuri që të merr frymën dhe që me siguri do të tërheqë gjithnjë e më shumë turistë nga brenda dhe jashtë vendit./tvklan.al 





Të ngjashme