Historia e atentatit ndaj diktatorit (Sezoni 2 – 22 Nëntor 2009)
Autori: Pamela Jonuzi
22:56 22/11/2009“Histori me zhurmues” qëndroi në një nga ngjarjet më të bujshme të periudhës së diktaturës, e cila bën fjalë për ardhjen e grupit të Xhevdet Mustafës. Qëllimi i tij ishte atentati ndaj diktatorit. Familjarë të pjestarëve të grupit, dëshmitarë realë të ngjarjes dhe njerëz që u morën drejtpërdrejtë me këtë ngjarje ishin personazhet e programit “Histori me zhurmues”, në një speciale për vitin 1982.
Gani Mustafa tregoi si u arratis vëllai i tij, Xhevdeti në vitet 60, fati i familjes së tij pas arratisjes dhe si i përjetuan ato ditë Shtatori kur grupi zbarkoi në Divjakë.
Një tjetër personazh i ftuar ishte edhe Hasan Luçi, njeriu i sigurimit shqiptar, që për një kohë të gjatë u mor me zbulimin e planit të këtij grupi. Si u mënjanua në momentin e fundit nga operacioni, të vërtetat dhe të pathënat e kësaj historie spiunazhi që tronditi Shqipërinë e viteve 80.
Historinë e grupit e plotësoi Gafur Haznedari, vëllai i Sabaudinit, i cili konsiderohej si truri i grupit. 60-vjeçari, i arratisur politik, në emër të një ideali rikthehet në Shqipëri për të plotësuar misionin e jetës së tij.
Por një dëshmitar real i ngjarjes plotësoi kuadrin e kësaj historie. Kurt Sula, njeriu që deponoi se qëlloi mbi Xhevdet Mustafën, pasi ky i fundit i vrau vëllanë, ishte i ftuar sonte në “Histori me zhurmues”./tvklan.al