Historia e gjakmarrjes për motrën, ekstradohet i dënuari me 25 vite burg


Historia e gjakmarrjes për motrën, ekstradohet i dënuari me 25 vite burg

08:25 07/09/2016

Një 48-vjeçar, i dënuar nga drejtësia shqiptare me 25 vite burg është ekstraduar nga Greqia. Bëhet fjalë për Ndok Gjekën, i lindur në Lezhë dhe i dënuar në 11 mars të 2005 me 25 vite burg për disa vepra penale: vrasje me paramendim në bashkëpunim, plagosje e rëndë me dashje në bashkëpunim dhe prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit.

Ndok Gjeka ka vrarë në vitin 1998 Shtjefën Matian për gjakmarrje, ndërsa më pas është arratisur duke u fshehur në Greqi.

Historia

E gjithë hakmarrja ka nisur për vrasjen e motrës së Ndok Gjekës. Shtjefën Matia në gjendje të dehur ka hedhur një granatë dhe nga shpërthimi ka vdekur motra e të pandehurit, ndërsa vetë humbi njërën dorë.

Familja e Ndok Gjekës nuk ia fali këtë gjë viktimës, megjithëse bëri disa herë përpjekje për të mos vazhduar gjakmarrjen, duke thënë se vrasja ishte kryer aksidentalisht. I pandehuri nuk e pranoi një fakt të tillë duke vrarë Shtjefën Matian. /tvklan.al






Të ngjashme