Historia e “grupit armiqësor” në ekonomi (Sezoni 2 – 21 Mars 2010)
Autori: Pamela Jonuzi
22:49 21/03/2010Viti 1975 dhe grupi armiqësor në ekonomi, viktimat e radhës që diktatura komuniste vuri në shënjestrën e saj në atë vit, janë në qendër të programit “Histori me zhurmues”, të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço, për këtë të dielë.
Gjatë këtij revanshi u goditën rëndë funksionarë të lartë të partisë dhe të shtetit, nuk u kursyen as anëtarë të Byrosë Politike e as ministra. Pasojat e krizës ekonomike që nisën të ndiheshin gjithmonë e më tepër, u veshën me sloganin e “veprimtarisë armiqësore”, që kishte për përfaqësues Koço Theodhosin, Abdyl Kellezin e Kiço Ngjelën.
Piktori Arben Theodhosi, i biri i Koço Theodhosit, ish-anëtarit të Byrosë Politike dhe zv. ministër deri në vitin 1975, kohë në të cilën u arrestua me akuzën e sabotimit në ekonomi dhe u ekzekutua, ishte i ftuari i Pandi Laços.
Ai na njohu me historinë e familjes së tij që u internua në Kurbnesh, për jetën dhe punën në minierë, pa lënë mënjanë dhe jetën në ish-bllokun, si dhe raportet e të atit me Enver Hoxhën dhe anëtarët e tjerë të udhëheqjes komuniste.
Ramadan Perhati, një tjetër viktime e “grupit sabotator” në ekonomi, i diplomuar në Bashkimin Sovjetik për shpim-kërkim nafte, autor i shumë librave dhe studimeve, na foli për emërimin e tij në Patos, ku punoi për një kohë të gjatë si kryeinxhinier i ndërmarrjes shpim-kërkim.
Në vitin 1975 e kapi edhe atë vala e dënimeve, prej të cilës detyrohet të punojë për 17 vjet si punëtor nafte. Ramadan Perhati tregoi aktivet e naftës dhe dënimim e kolegëve të tij për sabotim, mbi bazën e akuzave absurde.
Njëra prej personazheve të evidentuara përmes kronikave të kohës në vitin 1975 është Mariana Nota, punonjëse në fabrikën e qumështit në Shkodër, e cila na zbuloi të dhena mbi jetën e saj në fshat si stazhiere e partisë, aktiviste deri në vitin 1990, kur dorëzoi teserën e partisë./tvklan.al