Historia e Kombinatit Tekstil “Stalin” (2 Prill 2001)
Ky është kombinati tekstil, dikur i quajtur “Stalin”. I ngritur 50 vjet më parë ai arriti të prodhojë deri në vitin 1991, duke veshur kështu gati të gjithë shqiptarët. Më pas çdo gjë mbeti e shkretë dhe në duart e askujt. Dikur këto rrugica gumëzhinin nga zhurma e makinave dhe punëtorëve. Këtu punohej me tre turne dhe procesi niste nga filli dhe deri tek përpunimi dhe ngjyrosja e pëlhurave. Në 22 hektarë tokë ku shtrihet ky kombinat u ngritën 8 fabrika që prodhonin të pambukta. Mbi 10 mijë punëtorë që kishte mbledhur ky kombinat gjigand, pas viteve ’90 mbeten pa punë dhe disa emigruan jashtë.
Tani kjo fabrikë është privatizuar, disa nga shqiptarë e disa të huaj. Këtu kanë nisur aktivitete të ndryshme. Shiten pllaka, prodhohen shoje këpucësh, mobilje e të tjerë. E vetmja fabrikë që ka mbijetuar dhe nuk ka pushuar prodhimin është ajo e stofit të hollë, e privatizuar nga shoqëri aksionere. Deri në fillim të vitit, 120 punëtorët kishin gjetur tregun e shitjes, ndërsa tani presin të rifillojnë./tvklan.al
Gazetare: Holta Zhiti