Historia e komunistes që shpërndante literaturë në burg (Sezoni 2 – 14 Shkurt 2010)


Historia e komunistes që shpërndante literaturë në burg (Sezoni 2 – 14 Shkurt 2010)

Autori: Pamela Jonuzi

22:26 14/02/2010

Mynevere Zaimi ishte një nga komunistet e reja dhe aktiviste e orëve të para të Lëvizjes Antifashiste në qytetin e Elbasanit, e cila është  arrestuar, torturuar dhe dënuar gjatë pushtimit nazi-fashist.

Ajo rrëfeu në emisionin e sotëm të “Histori me Zhurmues”, të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço, për jetën e saj në ilegalitet gjatë luftës, si arsimtare pas çlirimit deri në vitin 1973 kur u arrestua sërish, por kësaj here nga pushteti për të cilin ajo luftoi.

Mynevere Zaimi, autore e 16 librave me karakter historik, botuar pas viteve 90, do të akuzohej për përhapjen e literaturës së ndaluar në burg.

Një tjetër histori e vitit 1973 ishte ajo e Fadil Toçit, ish- ushtarakut, komandant i Mbrojtjes Kundërajrore në Ministrinë e Mbrojtjes, i cili bashkë me një grup ushtarakësh u dërgua me një mision sekret në Vietnam.

Fadil Toçi rrëfeu peripecitë që hoqi gjatë këtij misioni, si dhe tregoi detaje nga mbledhja e parë në Qershor të 1973-it, e cila u mbajt në vilën e Zogut në Durrës, ku për të parën herë u hodhën akuzat mbi “teorinë e rrëshqitjes” së Beqir Ballukut.

Në pjesën e tretë të emisionit, Iljaz Guri, mjeshtri i merituar i sportit, kapiteni i ekipit këmbëtar të mundjes dhe kampioni për shume vite me ekipin e Vllaznisë, foli për karrierën e tij sportive dhe Kampionatin Europian të Helsinkit, ku u detyrua të mundej në gjysmëfinale për të mos u ndeshur me rivalin rus.

Pasioni i tij u përcoll tek i biri, Elis Guri, që ishte edhe një nga perfaqësuesit e sportit shqiptar në Lojërat Olimpike të Pekinit. /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al






Të ngjashme