Historia e “Mimoza llasticës” (Sezoni 2 – 8 Nëntor 2009)


Historia e “Mimoza llasticës” (Sezoni 2 – 8 Nëntor 2009)

Autori: Pamela Jonuzi

22:30 08/11/2009

Vizita e delegacionit ushtarak në Kinë, fill pas takimit Nikson – Mao Ce Dun, ishte një nga ngjarjet që u trajtuan në mbrëmjen e sotme në “Hisori me Zhurmues”, të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço. 40 ushtarakë dhe specialistë udhëtuan drejt kryeqytetit kinez për të kërkuar 18 uzina armatimi dhe arsenal ushtarak.

I ftuar sonte në “Histori me Zhurmues” ishte Edip Ohri, ish-komandant i përgjithshëm i Forcave Ajrore Ushtarake të atyre viteve. Ai rrëfeu për pritjen që bëri Cu en Lai, replikat dhe çfarë mesazhesh dhanë për komandantin e  përgjithshëm. Po ashtu tregoi kthesën që mori jeta e një prej ushtarakëve të lartë të kohës ashtu si e shumë të tjerëve, në vitet e mëvonshme.

1972 do të mbahet mend gjatë edhe për Pleniumin e rrethit të Matit, një nga momentet më të diskutueshme të historisë së partisë-shtet të atyre viteve. Atë të krijimit të një iluzioni rreth një fryme të re liberalizmi në politikë, ndoshta edhe nën ndikimin e ndryshimit të kursit të Kinës mike, pas takimit të Niksonit me kryetarin Mao Ce Dun.

Pikërisht me parullën “Socializmin e ndërtojnë masat, partia i bën ato të ndërgjegjshme”, Enver Hoxha, i vetëm dhe pa asnjë anëtar tjetër të Byrosë Politike, vizitoi Matin dhe foli 6 orë para kuadrove të rrethit. Ish-sekretari i dytë i partisë së  rrethit, Rustem Leshi, nëpërmjet rrëfimit të tij kujtoi sesi u zhvillua ky takim.

Për të mos u humbur ishte edhe intervista me Zhaklina Dhimojanin, protagonisten e filmit “Mimoza llastica”. Si e preku dhe e përjetoi Zhaku ëndrrën e shumë fëmijëve shqiptarë për t’u bërë pjesë e botës së filmit. Kujtimet e saj me regjisoren e famshme të fëmijëve, Xhanfize Kekon. /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al






Të ngjashme