Historia e organizatorit të Lëvizjes së Postribës (Sezoni 2 – 06 Qershor 2010)
Autori: Pamela Jonuzi
22:38 06/06/2010Në qendër të emisionit të sotëm “Histori me Zhurmues”, të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço, ishin ngjarjet e vitit 1946.
Kryengritja më e madhe antikomuniste, Lëvizja e Postribës ishte një nga kronikat kryesore të këtij viti, të cilës i dha më shumë zë familja Kazazi. E ftuar në “Histori me Zhurmues” ishte Liri Kazazi Karagjozi, e bija e një ndër krerëve të kësaj lëvizje, Jup Kazazi. Emri i saj vjen nga dëshira e madhe e të atit për lirinë e Shqipërisë.
Ajo rrëfeu historinë e Jup Kazazit, i cili luftoi për çlirimin e vendit nga fashistët dhe rrëzimin e komunizmit. Ai vendosi të vetvritet kur e zbuluan, pasi e dinte se çfarë e priste në duart e komunistëve. Disa nga familjarët e tij u dënuan me burg, disa u pushkatuan dhe disa u internuan.
Në “Histori me Zhurmues” ishte i ftuar dhe Guljem Sereqi, i cili foli po ashtu për Lëvizjen e Postribës. Sipas tij, kjo lëvizje është përdorur më shumë si mjet për të ushtruar terror në vend. Në moshën 13-vjeçare ai u përball me arrestimin dhe torturimin e të atit dhe të xhaxhait. Ky i fundit u dënua me vdekje si organizator i Lëvizjes së Postribës, ndërsa i ati u dënua me 14 vjet burg dhe internim.
Një nga personazhet më të diskutuar të politikës shqiptare në ato vite ishte Sejfulla Malëshova. Ai ia kushtoi jetën kulturës dhe në vitin 1946 u bë Ministër i Arsimit dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. I ftuar sot ishte një i afërm i tij, Hajdar Çafka, i cili rrëfeu detaje nga jeta dhe parimet e tij. Sejfulla Malëshova kërkonte pluralizëm dhe demokraci, por u dënua nga regjimi i kohës./tvklan.al