Historia e rëndë e 21-vjeçares që u përdhunua dy herë
Emisioni “Historia ime”, në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e 21-vjeçares Laugerta Qelia. Ajo është larguar nga Shqipëria para 3 vitesh me familjen dhe aktualisht jeton në Gjermani. Në një lidhje në Skype, Laugerta rrëfeu se kur ishte 9 vjeç, ajo është përdhunuar nga një bashkëfshatar i saj, por në atë kohë nuk i ka treguar askujt për ngjarjen nga frika e paragjykimeve.
Kjo nuk ishte hera e vetme që Laugerta do të përballej me një situatë të tillë, pasi në vitin 2018, kur ishte në Austri së bashku me familjen e saj, u përdhunua sërish nga një shtetas nga Afganistani.
Ajo tregon se ngjarja ka ndodhur pas një feste dhe personi nuk ishte i panjohur për të. Këtë herë vendosi ta denonconte dhe personi u dënua me 7 vite burg.
Mirela Milori: Ti je përballur me një tjetër ngjarje të rëndë në jetën tënde? Për çfarë bëhet fjalë tjetër konkretisht?
Laugerta Qelia: Kjo ngjarja tjetër e rëndë është përsëri përdhunim. Më 18 Qershor 2018 ndodhi përdhunim përsëri. Në atë ditë kishte festë në Austri.
Mirela Milori: Çfarë ndodhi në këtë festë?
Laugerta Qelia: Mbas festës erdhi një njeri nga Afganistani, u afrua. Një djalë i ri, kisha folur disa herë me të.
Mirela Milori: E njihje më përpara?
Laugerta Qelia: Po e njihja.
Mirela Milori: Çfarë ndodhi mbas festës?
Laugerta Qelia: Më tha eja të shkojmë në një supermarket, vendosi të blinte alkool. Shëtitëm aty afër dhe ai filloi të abuzonte.
Mirela Milori: Ndodhi kundër dëshirës tënde?
Laugerta Qelia: Po ndodhi kundër dëshirës time, se atë ditë do shkoja tek i dashuri im dhe sigurisht ishte kundër dëshirës sime.
Psikologia: A u përpoqe të mbrohesh?
Laugerta Qelia: U përpoqa të mbrohesha, vendosa të luftoja me të, por ishte më i fortë se unë.
Psikologia: Kishit diferencë të madhe në moshë?
Laugerta Qelia: 2 vjet!
Mirela Milori: E raportove diku ngjarjen? I tregove njeriu mbas kësaj që ndodhi?
Laugerta Qelia: Vendosa që në atë moment të shkoja tek policia dhe ta denoncoja.
Mirela Milori: Shkove?
Laugerta Qelia: Po shkova dhe e denoncova!
Mirela Milori: Çfarë ndodhi pas asaj?
Laugerta Qelia: Ai mori 7 vite burg!/tvklan.al