Historia e vajzës që theu kornizat e moralit komunist (Sezoni 2 – 21 Shkurt 2010)
Autori: Pamela Jonuzi
22:41 21/02/2010Europa po ndiente erën e re të demokracisë dhe Shqipëria, vendi më i izoluar i saj, po përjetonte momentet e fundit të regjimit totalitar 45-vjeçar. Shqipëria do të shenjohej nga një ngjarje tragjike, aksidenti i Llogarasë, i ndodhur më 22 Nëntor 1989.
Praktika mësimore e studentëve të agronomisë u kthye në tragjedi të trefishtë nga rrëzimi i autobuzit, në katastrofën e dy helikopterëve të shpëtimit. Pikërisht ky episod i dhimbshëm ishte në vëmendje të programit “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço. Sonte dëgjuam dëshmitë e Sulejman Ullirit, i cili është njëri nga studentët që i mbijetoi tragjedisë dhe Luan Barraj, oficeri që drejtoi operacionin.
Një episod nga situata politike e kohës solli Albina Hoxha, ish-studente e gjuhëve të huaja, vajza që guxoi të thyejë kornizat e moralit komunist, duke u dashuruar me një diplomat të ambasadës greke. Ajo rrëfeu takimet e fshehta me të në dhomat e Hotel Tiranës dhe përndjekjen nga njerëzit e sigurimit.
Një tjetër ngjarje interesante e 1989-ës mund të konsiderohet ajo e Fran Palit, i ashtuquajturi mjeshtri i violinave, sharrëxhiu, njeriu i apasionuar pas gdhendjes së drurit, rapsodi që u zotua se përveç instrumenteve popullore, do të realizonte dhe linjën e prodhimit të violinave shqiptare.
Njeriu që refuzoi kryeqytetin dhe bashkë me kolegun e tij prodhoi qindra instrumente, duke furnizuar shkollat e muzikës në të gjithë vendin, na rrëfeu përvojën e tij në “Histori me Zhurmues”./tvklan.al