Historia e vrasësit serial që ka tronditur Qipron

Foto: Vrasësi serial dhe policia në Liqenin e Kuq në Qipro mëngjesin e së dielës

Historia e vrasësit serial që ka tronditur Qipron

11:40 28/04/2019

Zbulimi i një vrasësi serial ka tronditur mbarë opinionin publik në Qipro. Është fjala për 35-vjeçarin Nikos Metaxas, i cili akuzohet për vrasjen e 7 grave, duke përfshirë edhe dy fëmijë të mitur. Vrasësi serial ka pranuar krimet që ka bërë dhe po bashkëpunon tani me autoritetet për të zbardhur këto ngjarje të rënda kriminale. Trupat e viktimave nuk janë gjetur plotësisht dhe po kërkohen.

Mëngjesin e kësaj të diele të Pashkës, 35-vjeçari ka shkuar i shoqëruar nga autoritetet qipriote në Liqenin e Kuq, për të gjetur prova të cilat ai i kishte zhdukur. Sipas policisë vendase, janë gjetur dy valixhe. Mediat raportojnë se brenda valixheve dyshohet që të jenë fshehur dy trupa të pajetë.

Vrasësi serial ka pranuar 7 vrasje, megjithatë ka dyshime se mund të jetë i përfshirë edhe në krime të tjera. Fillimisht ai kishte pranuar vetëm 5 vrasje, por më pas falë punës së hetuesve u detyrua të pranonte edhe dy të tjera.

Krimet kanë ndodhur për herë të parë në Shtator të vitit 2016 dhe 35-vjeçari ka vazhduar vrasjet deri më 26 Prill 2019 kur dhe u zbulua e arrestua. Të premten ai pranoi se ka vrarë Marry Rose, vajzën e saj 6-vjeçare Sierra, Arian Palanos, Maricar Valdez, Katka Anou dhe nënë e bijë Florentina Bunea dhe Elena Natalia Bunea. Të gjitha viktimat janë shtetase të huaja. Deri më tani janë identifikuar vetëm trupat e Marry Rose, Arian Palanos dhe Katka Anou.

/tvklan.al






Të ngjashme