Historia ime – Historia e 16-vjeçarës që ka frikë të jetojë në shtëpinë e saj!
E ftuar në emisionin “Historia ime” në Tv Klan ka qenë Zamira Cangu, 16 vjeç, vjen nga fshati Verjan i Krujës. Zamira jeton vetëm me babain e saj. Nëna e cila ishte e sëmurë, ka ndërruar jetë përpara 4 vitesh, nga pamundësia financiare për të ndjekur problemet shëndetësore të saj.
Zamira është nxënëse në vitin e dytë gjimnaz dhe shkon çdo ditë në Fushë-Krujë për të ndjekur shkollën, edhe pse e ka larg dhe transporti kushton, por e ndihmon motra e saj e vetme e cila është e martuar në Krujë.
Babai i Zamirës, përpara disa kohësh, ka pësuar një aksident në punë dhe ka dëmtuar sytë. Shikimi i tij që nga ai moment është i pamjaftueshëm, ai mundet të dallojë vetëm nga shumë afër dhe vetëm njerëzit ose objektet e mëdha.
Ky është shkaku kryesor që ai nuk mundet të gjejë lehtësisht punë. Ndaj, ai nuk punon rregullisht, por vetëm kur e thërrasin një herë në dy javë ose një herë në muaj, dhe punon në të zezë.
Fakti që nuk është i siguruar në punët që bën, e pengon babain e Zamirës që të marrë Kempin që i takon. Të dy jetojnë me 50 mijë lekë të vjetra ndihmë ekonomike.