Historia ime – Jetmir Maliqi, mjeshtri i artit mbi kafe!


Historia ime – Jetmir Maliqi, mjeshtri i artit mbi kafe!

13:30 16/10/2020

Kafja duket se është pjesë e pandashme e përditshmërisë sonë. Pas zgjimit të mëngjesit, rutina e një pjese të mirë të njerëzve vijon me një filxhan kafeje, aroma e së cilës na bën zgjimin e vërtetë prej gjumit. Llojet e kafes dhe shijimit të saj janë të ndryshme, por servirja rrallëherë vjen ndryshe dhe sigurisht kur një filxhan që përmban lëngun magjik që na karikon trurin dhe mendjen vjen dhe me një dekor specifik apo të dedikuar, të personalizuar që na bën të ndjehemi të veçantë, kënaqësia shumëfishohet. Por baristët që e kthejnë në art procesin e përgatitjes dhe servirjes së kafes, janë artistë dhe nuk gjenden shpesh.

Në emisioni “Historia ime në Tv Klan ka qenë i ftuar pikërisht një barist që e kthen filxhanin e kafesë në një oaz të vogël artistik dhe plot shije.

Ai është Jetmir Maliqi nga Kosova i cili krijon vepra arti në filxhanët e kafesë dhe i shërben klientëve të tij prej 23 vitesh. Vepra e tij më e fundit janë portrete me kokrrat e kafesë.

Ai njihet ndryshe edhe si “piktori i kafes”, pasi me shumë mjeshtri përgatit kafe me figura të ndryshme.

Ndonëse konsiderohet si më i miri në Ballkan, Maliqi e ka të pamundur t’i ndjekë të gjitha festivalet e artit të kafesë.

Thotë se nuk ka përkrahje nga sponsorët e kafesë siç ndodh në gjithë botën, dhe për më tepër shpesh ka munguar në këto festivale edhe për shkak të pamundësisë për t’u pajisur me vizë.

Së fundmi Maliqi ka kaluar në një tjetër nivel. Ai ka filluar të bëjë figura ose portrete në trajtë mozaiku me kokrra kafeje. Ofertën e fundit nga jashtë e ka patur nga Amerika, e megjithatë ai vazhdon të jetë në Prishtinë.






Të ngjashme