Historia ime – Yoga në Shqipëri, si bëhet njësh trupi me shpirtin
Shqipëria u njoh me disiplinën e jogës rreth 10 vjet më parë. Në atë kohë, nuk ishte e popullarizuar për shkak të përfitimeve të saj, por më shumë ishte një trend që duhej provuar. Në atë kohë, ishte një nismë e njerëzve që donin të ndanin eksperiencat e tyre me të tjerët.
Joga ka nivele të ndryshme që variojnë nga ai fillestar deri në të avancuar. Në varësi të nivelit, certifikohen edhe profesorët e jogës pasi duhet të jenë të specializuar për t’iu mësuar të tjerëve një degë të caktuar. Në vendin tonë ka nisur të ketë një përhapje masive, shpesh duke u bërë një praktikë familjare.
Paneli i ftuar në emisionin “Historia Ime” nga Mirela Milori në “Tv Klan” shpjegojnë fillesat e jogës në Shqipëri. Klodian Murati, një tjetër profesor joge, thotë se pavarësisht snobizmit që rrethon këtë praktikë në Shqipëri, pjesa dërrmuese e frekuentuesve të tij, janë meshkuj.
Mirela Milori: Tipat që shkojnë në joga fillimisht duhet të kenë dashur të kenë një trup të mirë.
Klodian Murati: Ia ulin vlerat asaj.
Mirela Milori: Tani a ka ikur, ka filluar që njerëzit të kuptojnë pse vijnë?
Klodian Murati: Shumë pak, është akoma ky snobizmi. Është akoma, por gjëja më e bukur, flas për veten, gjëja më e bukur është: Të ndryshosh një femër, ke ndryshuar një individ sepse femra është natyrë elastike që ndryshon në gjërat e reja, kurse nëse ti ndryshon një mashkull ke ndryshuar shoqërinë. Meshkujt në Shqipëri, ne e dimë, janë pak si ajo struktura e një arkitekti që nuk del kollaj nga binarët dhe unë në 3 vitet e fundit kam shumë, tej mase, frekuentime nga meshkujt dhe kjo më jep një kënaqësi të paparë. Kur them frekuentime, nuk ndahen, minimumi 2 herë në javë deri në 5. Ka djem të rinj, të moshuar.
Mirela Milori: Kjo tregon që ka ndryshuar mentaliteti se besoj që në fillim shkonin vetëm vajza, madje ato që donin një trup të mirë ose që janë trendi në sensin që duan të provojnë çfarë del e re.
Jorida Çomani: Është shumë mirë që në këto momente të zbehet koncepti “joga të dobëson”. Them që pas kësaj periudhe intensive që kaluam në këto dy vjet, njerëzit kishin kohë të ktheheshin te vetja, të qëndronin më shumë me veten, mendoj që tashmë këto konceptet sipërfaqësore duhet të zbehen, jo të dalin jashtë loje, sepse joga e kryen edhe këtë, por mirë është të fokusohemi kur flasim për joga dhe meditim, të hyjë koncepti i holistikës, pra e të parit të personit dhe shoqërisë si një e tërë, ne kemi nevojë të ngacmojmë pjesë të ndryshme të stilit tonë dhe të jetesës në mënyrë që të ndihemi në mirëqenie. Joga, meditimi janë mirëqenie. Pra në shqip, shumë bukur e kanë gjetur, unë e përdor çdo ditë me njerëzit që merrem, mirëqenie do të thotë “me qenë mirë”. /tvklan.al