Historia si në filma e shqiptarit trafikant. Në arrati për 11 vite, por…


Historia si në filma e shqiptarit trafikant. Në arrati për 11 vite, por…

22:08 31/08/2016

Pas 11 vitesh në arrati, ai mendonte se ishte harruar nga drejtësia italiane. Por jo, pas një bashkëpunimi mes policisë italiane dhe asaj të Kosovës, në pranga ka përfunduar 48-vjeçari Nimon Zogaj.

Ai është dënuar nga autoritetet italiane me 22-vjet burg, pasi njihet si një nga kokat e trafikut të drogës në Lombardi. 48-vjeçari ishte  identifikuar dy ditë më parë në kufirin midis Malit të Zi dhe Kosovës, ndërsa jetonte i qetë se gjithçka kishte bërë vite me parë ishte harruar.

Akuzat ndaj tij kanë të bëjnë për vitet 1997-1998, kur ai, sipas mediave italiane ishte koka e një bande kriminale që merrej me trafikun e drogës.

Fillimisht Nimon Zogaj e kuptoi se rrezikonte shumë, ndaj u arratis në Zvicër. Megjithatë në vitin 2005 u arrestua dhe u ekstradua në Itali.

Pas një muaj burg në Itali, ndaj 48-vjeçarit u vendos gjykimi në gjendje të lirë. E që nga ajo ditë që doli nga dera e burgut, Nimon Zogaj humbi gjurmët.

Pavarësisht se autoritetet italiane e tregojnë si një njeri të rrezikshëm ai nuk u tregua i kujdesshëm në bisedat me miqtë e vjetër trafikantë, që jetojnë në Itali. Falë përgjimeve ai u pikas, për tu arrestuar më pas./tvklan.al






Të ngjashme