Historiani Gjergj Titani: Si u pushkatua ish-ministri Koçi Xoxe ( Emisioni 8 – Sezoni 1)


Historiani Gjergj Titani: Si u pushkatua ish-ministri Koçi Xoxe ( Emisioni 8 – Sezoni 1)

Autori: Pamela Jonuzi

15:30 22/02/2009

Histori me zhurmues – Ai ishte një nga personazhet kryesorë të vitit 1948. Bëhet fjalë për ish- ministrin e Brendshëm Koçi Xoxe. Historiani dhe poeti Gjergj Titani ishte i ftuar në “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço ku tregoi historinë e tij.

“Gjeneral Koçi Xoxe ish-ministër i anatemuar i Brendshëm i Shqipërisë ishte një nga themeluesit e Partisë Komuniste. Unë e kam njohur gjatë. Kur u emërova shef shtabi në Fier u habita që gjeta të internuar familjen e zv.kryeministrit Tuk Jakova, profesor Sejfulla Meleshovën, gjeta po ashtu të internuar familjen e gjeneralit Gjin Marku, familjen e Pëllumb Dishnicës, Koço Tashkos, Dhora Lekën e famshme etj. Dhe duke qenë shef i shtabit ndjeva tronditjen e parë. Unë nuk jam adhurues i akujt, unë jam historian dhe si i tillë i shikoj personazhet që më kanë caktuar apo edhe ato që kam caktuar direkt në sy.

Konkretisht Koçi Xoxja si një nga personazhet më të përfolur, më interesantë dhe në të njëjtën kohë më i vështirë. Koçi Xoxe përpos asaj që kemi dëgjuar ne është një injorant, një teneqexhi, një nul. Ai ishte rritur në një ambient intelektualësh dhe fliste lirshëm shqip, greqisht, rumanisht, bullgarisht, serbokroatisht dhe latinisht. Xoxe erdhi në Shqipëri fare i ri, në vitet ’29-30. Një vit e gjysmë pasi kishte ardhur babai i tij në Korçë dhe ishte një usta, llamarinist dhe qëllimisht i është vënë fjala teneqexhi që të ishte fyese. Ai u lidh natyrshëm me Partinë Komuniste. Në kohën kur Koçi Xoxe u bë sekretar i Komitetit Qëndror të Partisë së Punës ishte në burg, e bënë vetë komunistët shqiptarë në Labinot. Bile ka patur polemika të ashpra të jetë Enver Hoxha apo Koçi Xoxe sekretar i parë. Profesorë të nderuar thonë se Koçi Xoxe ishte një nulitet. Atëherë Partia Komuniste përse e zgjodhi sekretar?

Por ndërkohë Koçi Xoxja duke qenë në burgun e Tiranës organizoi shpërthimin e burgut nëpërmjetë tunelit dhe ka dalë veti 27-të nga burgu dhe shkoi drejt e në majë. Unë jam një ish i burgosur me 18 vjet dhe e di mirë çfarë janë ato biruca sepse burgun e kam bërë në Burrel. Koçi Xoxja i mbështetur edhe nga njësiti gueril i drejtuar nga Beqir Balluku doli në mal dhe u vendos në funksionin që i kishte dhënë konferenca e Labinotit. Koçi Xoxe ishte grek, ka lindur në Greqi, por familja e tij jeton në dy shtete, në Greqi dhe në Shqipëri. Ai ka patur 6 fëmijë, Nexhmija çuditërisht thotë 4.

Titisti më i madh në Shqipëri nuk ishte Koçi Xoxja, më i madhi ishte Enver Hoxha, nuk ishte keq të ishe titist që të kuptohemi. Tito i dha botës të kuptojë se ka edhe një pol të tretë, jo vetëm të majtë dhe të djathtë, por edhe bota e tretë e pavarur. Ai mblodhi të tërë popujt, Indonezinë, Egjiptin, Indinë etj., dhe krijoi këtë polin e tretë të ekuilibrit. Unë them që është një nga personalitetet më të mëdhej ballkanikë, por këtu tek ne njihet së prapmi. Mua më rezulton që familja Koçi Xoxes ka ardhur nga Lekli në Rehovë dhe nga Rehova ka shkuar në Negovan, një fshat i çuditshëm sepse kur ka ardhur Koçi Xoxe fliste 92% shqip. Ata shkuan familjarisht në Kostancë dhe atje gjyshi i tij hapi një gazetë, kishte një bibliotekë, shiste libra shqip dhe rumanisht.

Koçi Xoxe është një figurë që duhet detyrimisht të pastrohet qoftë nga klanet jugore apo veriore sepse së fundi Xoxe ka qenë në postin e ministrit 3 vjet. Koçi Xoxe u pushkatua nga skuadra e pushkatimit kur u mor vendimi me vdekje. Në gjyqin e Koçi Xoxes është pushkatuar vetëm Koçi Xoxe, por aty është dënuar edhe Nesti Grenxhi që nuk u fut në burg, por u fut Vango Mitrojorgji, u fut në burg Vaskë Koleci, Nuri Huta të cilët gradualisht dënoheshin. Doli Bedri Spahiu i cili ka qenë prokuror i Koçi Xoxes që të dënuarit me vdekje i heq plumbin e fundit. Ai tha ta arretojmë sepse e kemi pushkatuar kot dhe përpara popullit të dilte ai. Koçi Xoxe është pushkatuar në Kinostudio. Unë mendoj se duhet bërë memoriali i tij të cilin unë jam gati ta firmos që familja të ketë ku të derdhë dy pika lot”, tha Titani.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al






Të ngjashme