Historike, Greqia miraton Marrëveshjen e Prespës


Historike, Greqia miraton Marrëveshjen e Prespës

19:40 25/01/2019

Mosmarrëveshjet Athinë-Shkup për identitetin kombëtar tashmë u përkasin së shkuarës. Me 153 vota pro dhe 145 kundër, parlamenti grek miratoi Marrëveshjen e Prespës për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, duke shënuar një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Ashtu siç pritej, kryeministri grek Aleksis Cipras ia doli të mbledhë shumicën parlamentare për marrëveshjen historike, pavarësisht prishjes së koalicionit me Grekët e Pavarur, të Panos Kamenosit që e kundërshton atë. Gjatë votimit pati edhe momente tensionesh mes deputetëve të shumicës dhe opozitës të cilët i quajtën tradhtarë 8 ligjvënësit që bashkuan votat me qeverinë.

Dukshëm i emocionuar, Kryeministri Cipras e cilësoi këtë të premte, një ditë të shënuar për vendin. 

“Sot është një ditë historike për Greqinë. Me miratimin e marrëveshjes së Prespës, vendi ynë shpëtoi një pjesë të rëndësishme të historisë së tij, trashëgiminë e Maqedonisë antike greke”.

Kreu i qeverisë shprehu entuziazmin edhe përmes rrjeteve sociale ku tha se urrejtja nacionaliste, zënkat dhe përplasjet u zëvendësuan me miqësi, paqe dhe bashkëpunim.

Ndërsa kreu i opozitës, Micotaqis, paralajmëroi se nëse partia e tij Demokracia e Re fiton zgjedhjet e këtij viti, mund të vendosë Veto për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Europian. Grupime të majta radikale protestuan dhunshëm para parlamentit në Athinë kundër marrëveshjes. Ata u vunë flakën flamujve amerikanë, BE-së e NATO-s.

Tv Klan






Të ngjashme