Holanda legalizon eutanazinë për fëmijë
Qeveria holandeze ka miratuar planet për të lejuar eutanazinë, për fëmijët e sëmurë terminalë midis moshës 1 dhe 12 vjeç.
Ministri i Shëndetësisë Hugo de Jonge tha se miratimi i eutanazisë do të parandalonte që disa fëmijë të pashpresë “të vuajnë në dhimbje të padurueshme”.
Eutanazia aktualisht është e ligjshme në Holandë për fëmijët më të mëdhenj se 12 vjeç, me pëlqimin e detyrueshëm nga pacienti dhe prindërit e tyre. Gjithashtu është e ligjshme për foshnjet deri në një vjeç me pëlqimin e prindërve. Por, deri tani nuk ka pasur asnjë dispozitë për fëmijët e sëmurë terminalë midis moshës 1 dhe 12 vjeç.
Kjo çështje ka qenë jashtëzakonisht e diskutueshme dhe ka shkaktuar debat për muaj me radhë në koalicionin qeverisës të vendit që përbëhet nga katër parti. Kundër eutanazisë, ka pasur gjithashtu një kundërshtim të fortë, nga partitë konservatore të krishtera.
Ministri i Shëndetësisë tha se nuk do të ketë ndryshime të mëdha në ligjet aktuale, por mjekët do të përjashtohen nga ndjekja penale për kryerjen e një eutanazie të aprovuar ndaj dikujt në këtë moshë.
Eutanazia dhe vetëvrasja e asistuar ka qenë e ligjshme në Holandë që nga viti 2002. Pas disa muajsh të njëjtin shembull ka ndjekur edhe Belgjika fqinje.
Megjithëse në kushte shumë të rrepta, këto dy vende janë të parat në botë që kanë legalizuar këtë praktikë./tvklan.al