Holanda ndalon futbollin deri në muajin Shtator
Pas Belgjikës që dha verdiktet pa u mbyllur sezoni, edhe kampionati holandez i futbollit do të jetë i detyruar të mbyllet në tavolinë, kundër udhëzimeve të UEFA-s.
Organizata ndërkombëtare kërkon që të luhet rregullisht pjesa e mbetur e sezonit, por qeveria holandeze ka vënë veton sa i përket zhvillimit të ndeshjeve për disa muaj.
Kryeministri holandez Mark Routte ka deklaruar se nuk do të ketë futboll profesionist të paktën deri më datë 1 Shtator, pasi është e pamundur për shkak të pandemisë dhe situatës në vend.
Qeveria ka vendosur që të mbyllen të gjitha aktivitetet madhore që nga 1 Qershori deri më 1 Shtator, ndaj kjo e bën të pamundur mbylljen e kampionatit në kohë.
“Është situatë e pakëndshme, por nuk mund të rrezikojmë askënd. Duhet që të bëjmë këtë sakrificë dhe shpresoj që njerëzit ta bëjnë si duhet”, tha Kryeministri holandez.
Tani do të jetë drejtuesit e Eredivisë dhe Federata Holandeze ajo që do të marrë vendimin në bashkëpunim me UEFA-n rreth së ardhmes. Shumë prej klubeve kishin deklaruar edhe më parë se dëshironin të mbyllnin këtu sezonin, ashtu siç ka bërë Belgjika.
Vështirë që UEFA të presë që ndeshjet e mbetura të kampionatit holandez të luhen në Shtator, pasi në atë kohë teorikisht nis sezoni i ardhshëm.
Ndërkohë, do të ketë komplikacione edhe për listat e Europës, pasi Ajax është në vendin e parë, por me pikë të barabarta me AZ Alkmar, ndërsa ka pasiguri edhe si do të vendoset për pjesëmarrjen në Europë apo rënien nga kategoria.
Klan Plus