Holanda shuan shpresat për negociata


Holanda shuan shpresat për negociata

22:20 19/09/2020

Stef Blok: Maqedonia i ka përmbushur kushtet, Shqipëria mbase vitin tjetër

Nga Gjermani, kryeministri shqiptar la të nënkuptohet se vendimi për Konferencën e parë Ndërqeveritare për Negociatat mund të shtyhet për vitin e ardhshëm. Krahas Berlinit, sërish është Haga që nëpërmjet një qëndrimi zyrtar u pret shpresat shqiptarëve. Letra që veçon Shkupin nga Tirana, që të hape negociatat në muajin Dhjetor, është shkruar nga Ministri i Jashtëm Stef Blok.

“Ne mirëpresim dallimin e bërë midis kornizave negociatore për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kjo është në përputhje me qëllimin e qeverisë për të shkëputur fatin e tyre për negociatat sepse në fund të fundit negociatat duhet të bazohen në meritat individuale të të dy vendeve. Për këtë arsye është e rëndësishme që të zhvillohen dy procese të pavarura negocimi”.

Stef Blok është i qartë në problemet që po has vendi ynë.

“Siç tregojnë konkluzionet paraprake çdo vendim pozitiv mbi mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë do të varet nga progresi në terren, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Demonstrimi i një historiku konkret me fakte në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet një nga kushtet vendimtare në gjykimin për Shqipërinë. Përparim i mëtejshëm pritet po ashtu në miratimin dhe zbatimin praktik të Reformës Zgjedhore dhe funksionimin të Gjykatës Kushtetuese.”

Vendimmarrja në përputhje me metodologjinë e re tani kërkon një shumicë të kualifikuar. Kjo sipas qeverise holandeze thjeshton vendosjen e sanksioneve ndaj shteteve në proces negociatash, pasi tashmë procesi i zgjerimit është i kthyeshëm. Qeveria holandeze dëshiron që asnjë kapitull të mos mbyllet para se të përmbushet udhërrëfyesi për sundimin e ligjit.

Klan Plus






Të ngjashme