Hotelet refuzojnë karantinën!


Hotelet refuzojnë karantinën!

23:30 15/04/2020

Megjithëse qeveria u shpreh se të gjitha kapacitetet hoteliere që u përdorën për t’u ardhur në ndihmë të pastrehëve nga tërmeti i 26 Nëntorit, do të shfrytëzohen si ambiente karantine për shqiptarët që do të riatdhesohen nga vendet e Europës.

Klan Plus kontaktoi disa nga bizneset që akomoduan qytetarët e Durrësit dhe jo vetëm, të cilat u përgjigjen se nuk janë dakord të shndërrojnë në karantinë ambientet e tyre, kjo për faktin se mund të ndikojë negativisht në biznes, pasi turistët mund të mos bëjnë më rezervime për shkak të idesë që do t’u krijohet nga frika e infeksionit.

Megjithatë ministrja Balluku ka deklaruar se janë tre hotele, emrat e të cilëve pritet të publikohen ditën e nesërme, në faqen e e-Albania, aty ku çdo person që dëshiron të kthehet, duhet të rezervojë në portal, duke bërë edhe një pagesë prej afro 450 mijë lekë të vjetra, me të gjitha të përfshira, për një afat 14 ditor.

Deri më tani, i vetmi variant që mund të presë të riatdhesuarit është Kavaleshenca e oficerëve të ushtrisë, e cila është në menaxhim nga Ministria e Mbrojtjes. Ky është edhe vendi ku u vendosën të riatdhesuarit e parë, ndërsa pjesa më e madhe e tyre e kanë lënë karantinën.

Aktualisht të karantinuar vazhdojnë të jenë edhe 38 marinarë, të cilët qëndruan të bllokuar në portin e Barit, por arritën të ktheheshin pas marrëveshjes që qeveria shqiptare arriti me atë italiane. Mes të gjithë këtyre personave, si ato që erdhën nga Kapshtica dhe ata që erdhën nga Bari, të paktën nga burimet, asnjë nuk ka rezultuar pozitiv.

Klan Plus






Të ngjashme