Hoti: Të hënën firmosim marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke me Serbinë


Hoti: Të hënën firmosim marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke me Serbinë

14:43 06/09/2020

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar sot se të hënën në Bruksel do të zhvillohet një takim me palën serbe për të firmosur marrëveshjen përfundimtare.

Në një postim në Facebook, Hoti shkruan se marrëveshja përfunditmare do të sjellë dhe njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Marrëveshja arrihet vetëm atëherë kur përmbyllet me njohje reciproke. Nuk do të ketë marrëveshje të ndërmjetme, parciale apo kreative që nuk e zgjidh problemin përgjithmonë”, shkruan Hoti duke shtuar se do të ketë vetëm marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke, “që është sistematike dhe ku përfshihen të gjitha çështjet që duhet të adresohen në mes të dy vendeve të pavarura duke u bazuar në konventat, standardet dhe praktikën ndërkombëtare të rregullimit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve të pavarura”.

Në fund, kreu i qeverisë shton se Kosova mbetet e përkushtuar për paqe, stabilitet, zhvillim dhe integrim euro-atlantik të të gjithë regjionit.

Dialogu në Bruksel vjen pak ditë pas marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, ku hodhën hapa drejt normalizimit të marrëdhënieve ekonomike. /tvklan.al






Të ngjashme