“Huffington Post”: Kosova, viktimë e problemeve mes Amerikës dhe Arabisë Saudite
E intervistova Vlora Çitakun, ambasadore e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidhur me artikullin e botuar në New York Times më 21 Mars, që e portretizon Kosovën si “tokë të plleshme për ISIS -in”. Artikulli synon të sqarojë se si paratë nga Arabia Saudite, Kuvajti, Emiratet Arabe dhe Katari e kanë transferuar Kosovën, nga shtet tolerant dhe sekular, në një territor ku dominon mostolerenca dhe lëvizjet vehabiste.
“Artikulli i botuar në New York Times është i saktë, por flet për vetëm një pjesë të së vërtetës, me dy vjet vonesë”,
thotë ambasadorja Çitaku.
“Unë, personalisht, jam ndër të parët zyrtarë që ka folur publikisht për problemin e radikalizmit në Kosovë, qysh në vitin 2009. Në 2014, qeveria e njohu këtë problem dhe mori masa legjislative dhe në terren për ta adresuar. Si rrjedhojë, më pak se dhjetë qytetarë i janë bashkuar ISIS-it më 2015, ndërsa këtë vit nuk ka pasur të tillë fare”.
Megjithatë, ISIS është ende problem i Kosovës si edhe i pjesës tjetër të botës, shton ambasadorja për Huffington Post.
Kosova ka ndërmarrë një varg procedurash legjislative dhe operacionale për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm. Në vitin 2014, Parlamenti ka miratuar
Ligjin për Ndalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit
, ndërsa më 2015,
Ligjin për Ndalimin e bashkimit të qytetarëve në konflikte jashtë shtetit
. Ky i fundit e cilëson si krim “organizimin, rekrutimin, udhëheqjen apo trajnimin e personave ose grupeve me qëllim të bashkimit në ushtri apo polici të vendeve tjera në konfliktet e armatosura jashtë Kosovës”.
Këto shkelje dënohen me pesë deri në pesëmbëdhjetë vite burgim.
Për më shumë, më 2015, Kosova ka aprovuar
Strategjinë për Parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që çon në terrorizëm
. Strategjia synon që “Kosova të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar resurset e nevojshme për funksionimin e saj dhe të planit të veprimit”.
Ambasadroja Çitaku, ish – Konsulle e Përgjithshme në New York, nuk e mohon rolin që kanë pasur paratë e shteteve të Golfit në fuqizimin e linjës vehabiste të islamit në Kosovë në të shkuarën e afërt, por ka mohuar se ato shtete janë përgjegjëse për këto aktivitete.
Këto fjalë të ambasadores janë në vijën e deklaratave të disa zyrtarëve në Washington. Administrata amerikane ka theksuar se nuk është qeveria e Arabisë Saudite, por individë nga ky vend, financues të aktiviteteve terroriste.
Një zyrtar i lartë i administratës amerikane, në kushte anonimiteti, ka thënë se “nuk ka dëshmi që Arabia Saudite është duke financuar aktivitete terroriste dhe se këtë gjë janë duke e bërë fondacione dhe individë të caktuar”.
Ai ka theksuar se mediat dhe qarqet politike duhet të kenë kujdes në bërjen e këtij dallimi. Më pas ai vazhdon të tregojë se si ka shikuar dokumente sekrete lidhur me sulmet e 11 Shtatorit, në të cilat askund nuk ekziston ndonjë lidhje financimi mes qeverisë saudite dhe sulmuesve. Bërja e këtij dallimi nga Washingtoni ka qenë e peshës së ulët, megjithë faktin e pamohueshëm se, deri tani, Arabia Saudite nuk është bazë demokracie.
Vëzhgues të ndryshëm besojnë se Kosova është pjesë e dëmit anësor të shkaktuar nga polemikat lidhur me lidhjet e dyshuara të qeverisë saudite me terrorizmin islamik dhe 11 Shtatorin.
Po ashtu mund të thuhet, në një formë, se artikulli i New York Times flet më shumë për Arabinë Saudite se për Kosovën. E para konsiderohet financuese e madhe e terrorizmit islamik përgjegjëse për shpërndarjen e Vehabizmit (formë radikale dhe jotolerante e islamit) në botë.
Artikulli e përmend Kosovën në kontekst të një tjetër shembulli që tregon rolin e sauditëve në krijimin dhe ujitjen e truallit për terrorizëm, duke propaganduar një formë të njëzëshme dhe jotolerante të islamit.
“Ne jemi myslimanë, por mbetemi sekularë dhe megjithë raportet e mira me shtetet e Golfit, orientimi ynë është anëtarësimi në Bashkimin Europian, NATO dhe miqësia e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Së fundmi, në Janar të këtij viti, kemi hapur një zyre konsultuese në Des Moines, për të përkrahur marrëdhëniet civile dhe të nivelit të sigurisë me SHBA-në”,
shprehet Ambasadorja Çitaku.
Gjeneral Majori Tim Orr, Zëvendësgjeneral i Gardës Kombëtare të Iowa, që ka një program partneriteti me Kosovën që nga viti 2011 pajtohet me të.
“Kosova e kupton që e ardhmja e saj varet nga të qenit pjesë e institucioneve evropiane dhe ndërkombëare”,
thekson ai, para se të shtojë se,
“Kosova është vendi më pro-amerikan në të cilin kam qenë, ndërsa vazhdon ta shoh SHBA-në si aleatin më të afërt. Ne jemi të nderuar ta kemi partner në çështje të sigurisë”.
Programi i partneritetit i Gardës së Iowa-s, që kryehet nën patronatin e Komandës së SHBA-së për Europë, fokusohet në rritjen e profesionalizmit ushtarak dhe ndërveprueshmërisë mes forcave respektive.
Po ashtu, në kapacitetet për të ndihmuar dhe menaxhuar krizat dhe në forcimin e edukimit, shëndetësisë, ekonomisë dhe raporteve ndër – njerëzore. Orr beson se
“programi është bërë katalizator i avancimit të interesave të SHBA-së në Kosovë”.
Në përfundim të argumentimit të saj, Ambasadorja Çitaku thotë se
“Kosova ka thyer linjat private të financimit nga shtetet e Golfit, pasi 19 organizata joqeveritare me aktivitete të dyshimta janë mbyllur. Prishtina tani pranon donacione vetëm nga qeveritë e shteteve respektive, si ai në vlerë 20 milionë euro nga Emiratet e Bashkuara, për ndërtimin e spitalit pediatrik në Kosovë. Dhe megjithë faktin që Kosova është mirënjohëse për këtë gjest, ajo mbetet e përkushtuar në orientimin kah Perëndimi, jo kah Lindja. Këtë muaj, Presidenti i vendit iu bashkua edhe paradës së LGBT, së bashku me ambasadorin britanik dhe atë amerikan. Ky duhet të jetë tregues i qartë!”
Njerëzit mund të argumentojnë në krah të kundërt me ambasadoren, por së paku Kosovës i duhet njohur merita e luftës me të sajin problem.
/Klan Kosova