Huffington Post: Problemet e drogës të rrënjosura thellë në Shqipëri
Shqipëria një vend i vogël në Evropën Juglindore është kthyer në epiqendrën e tregtisë evropiane të drogës e në mënyrë të veçantë të marijuanës.
Në këtë mënyrë nis shkrimin e tij të publikuar në “Huffington Post”, Ljuk Kofi, drejtor i Qendrës për Politika të Jashtme në Fondacionin e Trashëgimisë.
Por kjo nuk duhet të na befasojë, vijon ai. Me vijën bregdetare të gjatë në Adriatik ky rajon i Ballkanit ka qenë për shumë kohë i përfolur për të mirat e paligjshme, drogë dhe armë që fshihen në zemër të Europës.
Ky aktivitet ka mbështetur dhe ngritjen e krimit të organizuar, e korrupsionin politik në një vend që ka dhe shumë sfida të tjera të brendshme.
Ajo që e bën situatën unike janë akuzat, pjesa më e madhe e të cilave vijnë nga Partia Demokratike në opozitë, të cilat thonë se zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste në pushtet kanë lidhje dhe përfitime nga trafiku i drogës.
Kryeministri Edi Rama në mënyrë të përsëritur është akuzuar se ka dështuar në betejën e tij për t’i dhënë fund rolit të Shqipërisë në tregtinë europiane të drogës. Edhe ministri i brendshëm, Saimir Tahiri është akuzuar se mbron, dhe madje mbulon personat e përfshirë në tregtinë e drogës.
Këto akuza ngrenë pyetjen: Çfarë e motivon elitën qeverisëse të Shqipërisë që të ruajë e mbrojë lidhjet me krimin e organizuar dhe trafikantët e drogës?
Ndoshta ata kanë përfitime personale. Ndoshta është pjesë e një plani më të gjerë në mënyrë që të ruajnë pushtetin. Shqipëria vuan nga korrupsioni politik dhe ekonomik po aq shumë, ose ndoshta edhe më shumë se pjesa tjetër e Ballkanit. Miliona dollarw mund të blejnë shumë gjykatës, gazetarë dhe prokurorë, si dhe mund të ndihmojnë në një fitore elektorale në të ardhmen.
Por pavarësisht arsyes, diçka e dyshimtë po ndodh.
Në fillim të muajit shtator një pilot italian, Andrea Guidi, u ul pas një defekti në një fushë në veri të kryeqytetit shqiptar. Fillimisht Guidi pretendoi se po fluturonte mbi Shqipëri për arsye turizmi personal.
Gjithsesi një gazetar, Artan Hoxha deklaroi se piloti i kishte thënë prokurorëve se po provonte terrenin para se të kthehej 20 ditë më vonë për të marrë 200 kilogramë marijuanë.
Duke marrë në konsideratë historitë e avionëve të vegjël, që përdoren për transportin e drogës në Shqipëri, ky shpjegim i dytë duket më i besueshëm.
Autoritetet shqiptare shoqëruan gazetarin Hoxha me arsyetimin se kishte bërë publike informacione të ndjeshme. Dhe situata u rëndua kur Partia Demokratike supozoi se informacioni i dhënë nga Hoxha ishte transmetuar nga vetë ministri i brendshëm Tahiri si pjesë e një plani për të kompromentuar hetimet dhe për të mbuluar mënyrën e veprimit të trafikantëve të drogës.
Në fillim të këtij viti, autoritetet greke akuzuan qeverinë shqiptare se po mbronte dhe mbulonte Klement Balilin, një biznesmen shqiptar i cili shërbente si një zyrtar i administratës vendore në qytetin jugor të Sarandës. Balili dyshohet se financon një tregti të marijuanës ku droga eksportohet nga Shqipëria për në Evropën Perëndimore. Sërish opozita, Partia Demokratike, akuzoi lidhjet politike të Balilit dhe Ministrin Tahiri se po mbronte krimin.
Deklaratat e qeverisë për sa i përket luftës kundër problemeve të drogës në vend, nuk janë të besueshme. Një vit më parë autoritetet shqiptare deklaruan se kishin shkatërruar 99.2 për qind të marijuanës në vend. Por vetëm, këtë vit policia pretendon se ka shkatërruar 1.7 milion bimë kanabisi, shifër që është trefish më e lartë se sasia e drogës e shkatërruar një vit më parë. Pra këtu llogaritë nuk dalin.
Në shumë mënyra një vend si Shqipëria vuan pasojat e aktiviteteve të paligjshme ndërsa renditet e 88 në botë në indeksin për korrupsionin dhe perceptimin të Transparency International. Dhe indeksi për lirinë ekonomike i fondacionit të trashëgimisë në 2016-ën, i dha vendit renditjen më të ulët të mundshme në kategorinë e korrupsionit.
Pavarësisht kësaj Shqipëria ka përse të jetë krenare. Vendi u bë anëtar i NATO-s në 2008-ën, duke u bërë vendi i dytë me mazhorancë myslimane në aleancë.
Ndërsa në vitin 2014, u bë dhe kandidat zyrtar për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Për një vend të ndodhur në trazira, të shtypur ekonomikisht dhe i dalë nga luftërat në rajon, këto nuk janë arritje të vogla.
Por niveli i korrupsionit në elitën politike dhe roli i vendit në trafikun evropian të drogës, të dyja këto përfshijë zyrtarë të lartë të qeverisë, duhet të japin një lloj alarmi për politikë-bërësit në Uashington dhe në Evropë.
Jo vetëm një aspekt negativ për një vend që aspiron të bëhet një anëtar më i afërt në komunitetin Euro Atlantik, por rrezikon një destabilizim të mëtejshëm të një rajoni që është i brishtë./tvklan.al