![](https://i0.wp.com/prova.tvklan.al/wp-content/uploads/2019/11/kombinat-pallati-termet.jpg?fit=1613%2C881&ssl=1)
51 viktima nga tërmeti
Ndërron jetë një 20-vjeçare që u dëmtua në Tiranë
Numri i viktimave të tërmetit të 26 Nëntorit u rrit sërish. Janë 51 viktima, thonë autoritetet. Viktima e fundit është Xhesika Biqiku 20 vjeç, banore e një pallati në zonën e Kombinatit. Është e para viktimë në Tiranë.
Ajo gjendej në reanimacionin e Spitalit të Traumës, ku u dërgua pasi u godit nga një tullë në kokë.
Babai i saj tregoi një ditë më parë në një intervistë për Tv Klan, shtëpinë ku ajo u dëmtua së bashku me motrën dhe të emën dhe tha se Xhesika po ndiqej nga mjekë të huaj.
Nën rrënojat e ndërtesave të shembura nuk ka persona të tjerë. Kërkimet e fundit ishin në Durrës, por u ndërprenë pasi askush nuk i mungon më apelit. Ekipet e emergjencës, shqiptarë e të huaj, nxorrën 47 viktima nga rrënojat.
Një person humbi jetën si pasojë e një aksidenti pas dëmtimit nga tërmeti, 1 u hodh nga lartësia i kapur nga paniku, dhe 1 tjetër pësoi infarkt pas lëkundjeve të tokës.
Tv Klan